Mario Mitaj ishte një nga lojtarët më të mirë të Shqipërisë në Europian. Mbrojtësi pëlqehet nga disa klube, teksa të reja të rëndësishme vijnë së fundmi. Sipas Galaneës, për të ardhmen e 20-vjeçarit ka dalë në skenë një skuadër franceze. Bëhet fjalë për Nantes, klub që është i gatshëm të hyjë në tratativa me Lokomotivën e Moskës, për të siguruar kartonin e futbollistit kuqezi. Asgjë nuk do të jetë e lehtë, ekipi rus që zotëron kartonin e lojtarit nuk heq dorë nga shërbimet e Mitaj, nëse nuk plotësohen dëshirat ekonomike të palëve.
Emri i anësorit kuqezi përflitet edhe në Arabinë Saudite. Al-Ittihad është një pistë tjetër e mundshme. Për t’u përmendur fakti se arabët kanë potencial, të paktën sa i takon aspektit financiar, çka mund të çonte drejt arritjes së një marrëveshje.
Vendimtare do të jetë vetë dëshira e futbollistit, me këtë të fundit që ende nuk e ka thënë fjalën e tij. Gjithsesi, për momentin nuk ka asnjë ofertë zyrare. Mario Mitaj, i cili u aktivizua në 21 ndeshje me Lokomotivën e Moskës në sezonin e kaluar, është gati për të ndërruar mjedis.