Nga Ben Andoni
Muaj më parë në Vlorë një baba u godit me grusht dhe ndërroi jetë para agresorit, shumë më të ri në moshë. Një grua, një nënë, pas pune në një moment qetësimi do merrte plumbin si “shëlbim” të jetës së saj të mjerë, ndërsa ishte gabuar në vend të shënjestrës. Një kamerier do e pësonte pak javë më parë në Jug të vendit, ndërsa shërbente për herë të fundit në jetë në një klub të zgjedhur për masakër. Një prind në Pogradec do të lutej që të mos ia dorëzonte paratë e xhiros (kronika e medias) pak orë më parë dikujt, por do të rrihej deri sa të ndërronte jetë. Lista, nëse do ta hartonte ndonjë koleg i kronikës do të ishte shumë më e pasur. Ajo që i bashkon të gjitha këto ngjarje dhe të tjera si këto: Policia shpesh fle dhe mbron “të fortët” ngado në vend, kurse Drejtësia, të cilës shqiptarët i dhuruan të gjithë sakrificën dhe mundin e tyre, i quan rastet si “vrasje nga pakujdesia”.
Ka një cinizëm, kur i sheh të gjithë këto ngjarje, ku për të gjitha duket se për të varfrin dhe të pambrojturin ekzistojnë vetëm ligjet e përzgjedhjes natyrore. Përndryshe, ka të tjerë që nuk i hyn gjembi në këmbë ose ata që lidhen me pushtetin vetëm pasurohen. E filluan me Berishën dhe tashmë me Ramën janë fare të pambajtshëm. Shqiptari i thjeshtë po shikon se çdo gjë po i tjetërsohet para fytyrës. Jo më kot, indikacionet ekonomike janë të pamëshira me vendin dhe mënyrën e qeverisjes, por edhe mënyrën e sjelljes ndaj shqiptarëve të pambrojtur. Kryesisht nga shteti i tyre, të cilit i paguajnë taksa. Në ligjet e mbijetesës natyrore thuhet se: Organizmat që janë më të përshtatur me mjedisin e tyre kanë më shumë gjasa të mbijetojnë dhe të kalojnë gjenet që ndihmuan suksesin e tyre. Ky proces bën që speciet të ndryshojnë dhe të ndryshojnë me kalimin e kohës (literatura). Po pse mbijeton kaq shumë e keqja? Pse fiton gjithnjë padrejtësia? Pse po përcillet te pinjollët e rinj, që nuk njohin më asgjë? Pse nuk janë vrasës vetëm këta që të rrahin, por edhe shumë funksionarë të së Drejtës? Sërish literatura: Evolucioni nuk është i njëjtë me përshtatjen ose përzgjedhjen natyrore. Përzgjedhja natyrore është një mekanizëm ose shkak i evolucionit. Përshtatjet janë tipare fizike ose të sjelljes që e bëjnë një organizëm më të përshtatshëm me mjedisin e tij. Variacioni i trashëgueshëm vjen nga mutacione të rastësishme. Po pse përshtaten mirë vetëm të padrejtët dhe cilat janë mutacionet e rastësishme? Etja për pasuri, guximi për të vrarë, cinizmi prej mosndëshkimit dhe, mënyra sesi mund të vjedhësh pa u ndëshkuar tashmë janë cilësi, që mësohen rëndom në familjet tona. Ndaj, apeli publik i pak shqiptarëve që e duan vendin e tyre shkon në kotësi. Ata, të tjerët, që kanë para, pushtet dhe privilegje do të fitojnë shpesh e më shpesh dhe mund të vrasin dhe për hobi. Vajzat e show biz na e treguan dhe tashmë bëjnë karshillëk me policinë.
Nuk është ai i forti, që mendonin dhe vlerësonin njerëzit që e gjykojnë keq Darvinin, por ai që mbijeton në funksione të tjera. Në edicionin e pestë të “Origjinës” (botuar në 1869), Darvini filloi të përdorte frazën “mbijetesa e më të fortit (fittest)”, e cila ishte shpikur disa vjet më parë nga ekonomisti britanik Herbert Spencer, si stenografi për përzgjedhjen natyrore. Ky ishte një vendim fatkeq pasi ka disa arsye pse “mbijetesa e më të fortit” është një përshkrues i dobët i përzgjedhjes natyrore. Në kontekstin e Darvinit, “më i përshtatshmi” nënkupton “më së miri për një mjedis të caktuar” sesa “më i përshtatshmi fizikisht”, por ky dallim vendimtar shpesh anashkalohet në përdorimin jo teknik (Gregory, 2009) (veçanërisht kur shtrembërohet më tej për të “mbijetuar vetëm të fortët”), shkruan një studjues tek “Understanding Natural Selection: Essential Concepts and Common Misconceptions”( Kuptimi i përzgjedhjes natyrore: Konceptet thelbësore dhe keqkuptimet e zakonshme).
Drejtësia dhe policia, por edhe opinioni publik do të vijë në hulli dhe do të qetësohet kur të kuptojë se të fortët e Shqipërisë nuk janë përzgjedhje natyrore, që do të thotë se janë më të fortë se ne, por që thjesht se dinë të notojnë më mirë se ne në ujërat, që shqiptari i thjeshtë nuk denjon për dinjitetin e vendit të tij. Ashtu si qeveritarët tanë duhet të kuptojnë se Shqipëria s’u ndërtua për një ditë, që të kuptojnë se është turp të na kërcënojë kjo fashë shoqërore, që për fat të keq vetëm sa po forcohet. Të pambrojturit nuk meritojnë të vdesin në Shqipëri. (Javanews)