Izraeli ka kryer një “krim të ri kundër njerëzimit” duke vrarë mbi 100 civilë që ishin strehuar në një shkollë në lagjen Al-Daraj të qytetit të Gazës, tha të shtunën Ministria e Jashtme turke.
“Ky sulm tregoi edhe një herë se qeveria Netanyahu synon të sabotojë negociatat për një armëpushim të përhershëm”, thuhet në një deklaratë të ministrisë.
“Aktorët ndërkombëtarë që nuk ndërmarrin hapa për të ndaluar Izraelin janë bashkëpunëtorë në krimet e Izraelit”, shtoi ai.
Më parë, ushtria izraelite shënjestroi me raketa Shkollën Al-Taba’een në lagjen Al-Daraj që strehoi njerëz të zhvendosur, duke vrarë të paktën 100 palestinezë, sipas Zyrës Qeveritare për Media në Gaza.
“Sulmet izraelite kishin në shënjestër personat e zhvendosur gjatë faljes së namazit të sabahut, (që) çuan në një rritje të shpejtë të numrit të viktimave”, tha zyra e mediave.
Pavarësisht thirrjeve të enjten nga ndërmjetësit, përfshirë Egjiptin, SHBA-në dhe Katarin, për të ndaluar armiqësitë, për të arritur një armëpushim dhe një marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve, Izraeli vazhdon me ofensivën e tij vdekjeprurëse në Rripin e Gazës.
Sulmi izraelit kundër Rripit të Gazës ka vrarë rreth 39,800 njerëz që nga tetori i kaluar pas një sulmi ndërkufitar nga grupi i rezistencës palestineze Hamas.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ), e cila e urdhëroi atë të ndalojë menjëherë operacionin e tij ushtarak në qytetin jugor Rafah, ku më shumë se 1 milion palestinezë kishin kërkuar strehim nga lufta përpara se të pushtohej më 6 maj.