Autoritetet turke njoftuan sot se kanë rikthyer aksesin në platformën e mediave sociale “Instagram” pasi kompania ra dakord të bashkëpunojë me autoritetet për të adresuar shqetësimet e qeverisë. Më 2 gusht, Drejtoria e Teknologjive të Informacionit të qeverisë turke pezulloi aksesin në Instagram në Turqi me arsyetimin se platforma nuk ishte në përputhje me “ligjet dhe rregullat ” e vendit dhe ndjeshmëritë publike.
Në një postim disa ditë përpara vendimit, zëdhënësi i Presidentit Recep Tayyip Erdogan, Fahrettin Altun, fajësoi Instagramin për heqjen e postimeve që shprehnin ngushëllime për vrasjen e liderit të Hamasit, Ismail Haniya.
“Unë dënoj fuqishëm platformën e mediave sociale Instagram, e cila në mënyrë aktive i pengon njerëzit të postojnë mesazhe ngushëllimi për vdekjen e udhëheqësit të Hamasit, Haniya, pa përmendur ndonjë shkelje të politikës së saj. Kjo është censurë, e qartë dhe e thjeshtë. Ne do ta mbrojmë lirinë e fjalës kundër këtyre platformave që kanë treguar shumë herë se janë në shërbim të sistemit global shfrytëzues të padrejtësisë”, kishte theksuar Altun.
Ndalimi ka ngjallur protesta nga përdoruesit dhe bizneset e vogla dhe të mesme që arrijnë te klientët e tyre përmes kësaj platforme. Turqia renditet e pesta në botë për sa i përket përdorimit të Instagramit, me më shumë se 57 milionë përdorues, pas Indisë, SHBA-së, Brazilit dhe Indonezisë, sipas platformës së të dhënave Statista.
Meta, i cili zotëron Instagramin, ka rënë dakord të respektojë ligjin turk dhe të sigurojë heqjen efektive të postimeve dhe përmbajtjeve nëse ato përmbajnë prova të krimeve të caktuara ose “propagandë terroriste”.