52-vjecari Andrea Kalemi alias Adriatik Kalemi është prangosur ditën e sotme në banesën e tij në Gjirokastër, pasi u kap me armë zjarri e mijëra euro. Bashkë më Kalemin u arrestuan dhe Julian Kalemi e vrasësi i biznesmenit Edmond Papa, Andrew Bode në Memaliaj.
Por kush është Adriatik Kalemi?
Andrea Kalemi rezulton person me precedentë kriminal që në vitin 2001. Ai rezulton i arrestuar nga forcat speciale RENEA, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e drejtësisë belge, pasi akuzohej se në bashkëpunim me vëllain e tij Fatmir Kalemi kishte vrarë vëllezërit shqiptarë Mevlan e Adriatik Çaça, ngjarje e ndodhur në Anderleht të Belgjikës, më 13 prill 2001.
Në vitin 2017, ai është arrestuar në Tiranë së bashku me 2 persona të tjerë pasi duke qenë edhe nën efektin e alkoolit, në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kundërshtuar punonjësin e policisë në detyrë, duke prishur rendin dhe qetësinë publike, ndërsa një person i katërt që ishte me ata goditi me shufër hekuri në kokë, punonjësin e policisë E. V., i cili u dërgua në spital.
Në vitin 2023 Andrea Kalemi ka arritur t’i shpëtojë sulmi në burgun e sigurisë së lartë “Koridhalos” në Athinë, ndërsa një i burgosur egjiptian e ka goditur me thikë.52-vjeçari i cili njihet edhe si Adriatik Kalemi u plagos rreth datave 14 ose 15 dhjetor, ndërsa dyshimet e para, janë hedhur mbi pistën e një tentative për vrasje me pagesë. Gjithashtu atij iu bë shënjestër e një sulmi edhe më 9 gusht të 2023, në ishullin Paxos të Greqisë, teksa pushonte me familjen.
Më 20 korrik të 2024, Kalemit i vranë babain, Shyqyri Kalemin, në një atentat me armë zjarri. Pistë e atentatit dyshohet se është vazhdimin e sagës së vrasjeve të Aleksandër Sadikaj dhe Edmond Papës.
Kalemi është kushëri i parë me Aleksandër Sadikajt, saktësisht djali i dajës së viktimës, i cili u vra me tritol teksa lëvizte me mjetin e tij në një zonë në afërsi të Saukut në Tiranë. Pak kohë më vonë, u vra në Tiranë bizesneni nga Saranda, Edmond Papa. Për vrasjen e tij “fajësohen”, Albano Velo dhe Andrew Bode. Por nuk mbeti pa u përmendur edhe vetë Kalemi.