Artur Cerria, 37 vjeç, shqiptar; ky është personi i vendosur në pranga nga Policia italiane për vrasjen e bashkëkombasit të tij Dritan Idrizi. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Tavullia, atje ku Cerria, punonte si marangoz dhe kishte hapur edhe një kompani interneti. Por pse nisi sherri mes shqiptarëve?
Sipas mediave të huaja, sherri ka nisur për një makinë. Një kamarier 28-vjeçar dhe një punëtor 54-vjeçar i një dyqani makinash, të dy shqiptarë me banim në San Giovanni in Marignano, të cilët kishin shoqëruar viktimën në Tavullia për të marrë një shumën e 5000 eurove për një makinë. Mosmarrëveshja mes tyre solli përplasjen e dy grupeve në Tavullia, por plagët e marra nga një thikë i kushtuan jetën 38-vjeçarit Idrizi.
I riu, pasi u godit 3 herë me thikë, u dërgua me urgjencë në spital, por nuk mundi që t’i mbijetonte dot plagëve të marra. Në përleshjen e dhunshme të paktën katër persona të tjerë u plagosën dhe u transferuan në urgjencën e Pesaros. Tashmë spitali ruhet nga Policia nga frika e hakmarrjes nga miqtë dhe familjarët e viktimës. Këta të fundit kanë pasur përplasje edhe me mjekët pasi kanë dashur që të shohin trupin e të afërmit të tyre dhe kanë tentuar të futen në morg; por janë qetësuar nga karabinierët, të cilët kanë ndërhyrë menjëherë. 38-vjeçari, sipas ekspertizës paraprake, kishte mbërritur tashmë në gjendje kome në spitalin Cattolica.
Të arrestuar për ngjarjen janë 3 persona, të gjithë me origjinë shqiptarë. Njëri është një mik 28-vjeçar i viktimës dhe daja i tij, të cilët akuzohen për plagosje të rëndë me dashje, ndërsa në pranga ka përfunduar edhe autori, i cili akuzohet për vrasjen e Idrizit.