Të paktën 1.4 milion vajzave në Afganistan u është mohuar qasja në arsimin e mesëm që kur talibanët u kthyen në pushtet në vitin 2021, tha më 15 gusht UNESCO-ja (Agjencia për Kulturë e Kombeve të Bashkuara).
“Në vetëm tre vjet, autoritetet de facto pothuajse kanë zhdukur dy dekada të përparimit të qëndrueshëm për arsimin në Afganistan dhe e ardhmja e një brezi të tërë tani është në rrezik”, tha agjencia në një deklaratë.
Këto të dhëna janë bërë publike pasi talibanët shënuan tre vjet që kur forcat e tyre pushtuan kryeqytetin e Afganistanit, Kabulin, më 15 gusht 2021, pasi Qeveria e mbështetur nga SHBA-ja ra dhe udhëheqësit e saj u larguan në mërgim.
Që nga kthimi i talibanëve në pushtet, gratë janë përjashtuar nga jeta publike – atyre u është ndaluar të bëjnë shumë punë, u janë ndaluar parqet si dhe palestrat — dhe u është ndaluar arsimi i mesëm dhe i lartë.
Kufizimet arrijnë në atë që Kombet e Bashkuara e kanë përshkruar si “aparteid gjinor”. Aktualisht, janë gati 2.5 milionë vajza janë të privuara nga e drejta e tyre për arsimim, që përfaqësojnë 80 për qind të vajzave afgane të moshës së shkollës, tha UNESCO-ja. Kjo përfaqëson një rritje të numrit prej 300.000 vajzave nga të dhënat e mëparshmet të agjencisë së OKB-së në prill të vitit 2023.
“Si rezultat i ndalesave të vendosura nga autoritetet, të paktën 1.4 milion vajzave iu është mohuar qëllimisht qasja në arsimin e mesëm që nga viti 2021”, bëri të ditur UNESCO.
Qasja në arsimin fillor gjithashtu ka rënë ndjeshëm, me 1.1 milion më pak vajza dhe djem që ndjekin shkollën, shtoi agjencia. Për këtë, fajësohen vendimet e autoriteteve për të ndaluar mësueset femra të mësojnë djemtë, si dhe mungesën e nxitjes për prindërit për t’i dërguar fëmijët në shkollë.
Agjencia është “e alarmuar nga pasojat e dëmshme të braktisjes së shkollës të kësaj shkalle, gjithnjë e më masive, e cila mund të çojë në një rritje të numrit të fëmijëve që punojnë dhe martesave të hershme”. Regjistrimi në arsimin e lartë është po aq shqetësues, thuhet në deklaratë, duke shtuar se numri i studentëve në universitetet është ulur me 53 për qind që nga viti 2021.
Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay, i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të mobilizohet “për të siguruar rihapjen e pakushtëzuar të shkollave dhe universiteteve për vajzat dhe gratë afgane”. Mungesa e përfshirjes në arsim ka qenë ndër pikat kryesore të kritikave të afganëve ndaj autoriteteve talibane.
“Ka nga ata që nuk janë mjaftueshëm të shkolluar, dhe më e rëndësishmja, një pjesë e shoqërisë, gratë, janë të privuara nga arsimi, dhe ky është një problem i madh për popullin e Afganistanit”, tha për Radio Azadi të Radios Evropa e Lirë, një burrë afgan, banor i provincës veriore të Balkhut, i cili preferoi të mbetej anonim për shkak të shqetësimeve për sigurinë e tij.
“Çështjet e arsimit — arsimimi dhe punësimi i grave — dhe pjesëmarrja e tyre në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar janë anuluar plotësisht dhe janë lënë anash”, tha një grua banore e Kabulit, e cila gjithashtu preferoi të mos i përmendet emri.
Talibanët festojnë kthimin e tyre në pushtet në mes të gushtit, në datën e rënies së Kabulit dhe në fund të muajit, kur trupat e fundit ndërkombëtare të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, u larguan nga Afganistani.
Tërheqja, për të cilën u pajtuan Shtetet e Bashkuara dhe regjimi taliban më 29 shkurt 2020, ia mundësoi lëvizjes radikale islamiste të kthehet në pushtet 20 vjet pasi ishte rrëzuar nga forcat amerikane, menjëherë pas sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara më 11 shtator 2001.
Qeverinë talibane nuk njihet nga asnjë shtet tjetër.
Organizatat ndërkombëtare humanitare kanë paralajmëruar se miliona afganë po luftojnë me “një nga krizat humanitare më të rënda dhe më komplekse në botë, tre vjet pas ndryshimit të pushtetit”.
“Të varur shumë nga ndihmat humanitare, afganët janë të bllokuar në cikle varfërie, shpërnguljeje dhe dëshpërimi”, thuhet në deklaratën e 10 organizatave humanitare — duke përfshirë Save the Children, World Vision, Islamic Relief Worldwide dhe Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit — më 13 gusht.
Gratë dhe vajzat janë ndër më të prekurat nga kjo krizë humanitare, ka thënë Human Rights Watch. Talibanët kanë krijuar “krizën më serioze në botë të të drejtave të grave”, tha organizata më 11 gusht./ REL