Nga vërejtje, tek pezullimi i shërbimeve mjekësore për një kohë, pezullimi i licencës, gjoba 100 mijë deri në 1 milionë lekë të reja. Penaliteti më i rëndë është heqja e licencës për ushtrimin e profesionit të mjekut. Këto janë masat ndëshkimore që janë ashpërsuar në Urdhrin e ri të Mjekëve me ndryshimet që u miratuan me akt normativ më 1 gusht 2024 në mbledhjen e qeverisë dhe u publikuan më 7 gusht në fletore zyrtare.
Ndryshimet synojnë rregullimin e aktivitetit të mjekëve që duan të punojnë njëkohësisht në spitale publike dhe në ato jo publike por cënuar aktivitetin profesional tek të parat
Jo më shumë se 12 orë në javë në privat
Në Urdhrin e ri të Mjekëve specifikohet se një mjek nuk mund të punojnë në spitale apo klinika privat më shumë se 30 % të orëve mujore, që punon në sistemin shëndetësor publik. E thënë ndryshe, nëse marzhi maksimal i punës me ligj në institucione shëndetësore publike parashikohet 5 ditë nga 8 orë, ose 40 orë në javë pra, përllogaritet se në privat nuk mund të punojnë më shumë se 12 orë në javë. Pra nëse marzhi maksimal i punës me ligj në shtet parashikohet maksimalisht apo jo më shumë se 174 orë në muaj, përllogaritet se në privat mjeku nuk mund të punojnë më shumë se 47-50 orë në muaj.
Nuk lejohet t’i sugjerojë pacientit klinikën e vet
Gjithashtu i ndalohet t’i sugjerojë pacientit që ka shkuar për trajtim dhe shërbime në spitalin publik ta orientojë drejt spitalit jo publik ku ai ushtron profesionin
Të mos u kërkojë pacientëve, që i janë paraqitur në institucionin shëndetësor publik për trajtim dhe shërbime, në përputhje me specialitetin e tij, që t’i drejtohen institucionit shëndetësor jopublik, ku ai ushtron profesionin e tij” thuhet në pikën D që i shtohet nenit 8 të Urdhrit.
Në dorë të drejtorit
Tek Urdhri i Mjekut është shtuar një nen totalisht i ri, neni 8/a që përcakton dhe kriteret që duhet të plotësohen për të pasur dypunësim, shtet dhe privat dhe kush përjashtohet. Nëse një mjek kërkon të ushtrojë profesionin tek privati duhet ti bëjë kërkesë titullarit të institucionit shëndetësor publik, ku ai është i punësuar.
Në pikën 2 saktësohet dhe se në kuptim të këtij ligji, termi “ushtrim i profesionit të mjekut” përfshin hapjen, pjesëmarrjen, si edhe punësimin në një institucion shëndetësor jopublik.
Kush përjashtohet?
Nuk mund të punojnë në privat mjekët që janë të punësuar në spitale publike të cilat kanë përfituar statusin e autonomisë spitalore. Veç spitalit Memorial të Fierit, në janar të këtij viti kryeministri deklaroi se i ishte dhënë karta e Autonomisë Menaxheriale Spitalore, edhe Qendrës Spitalore Universtiare “Nënë Tereza”, Spitalit rajonal Durrës, Spitalit rajonal Vlorë, Spitalit rajonal Lezhë dhe Spitalit rajonal Shkodër.
Gjithashtu mjekët që mbajnë funksione drejtuese të çdo niveli në një institucion shëndetësor publik dhe në Universitetin Mjekësor Publik, e kanë të ndaluar kategorikisht të mbajnë funksione drejtuese të çdo niveli në një institucion shëndetësor jopublik.
Çfarë ka në dorë të titullarit
Për të dhënë lejen ose jo titullari ka parasysh tre kritere: Ngarkesën e orëve që mjeku ushtron në spitalin publik, mbulimin e shërbimit nga personeli tjetër mjekësor në spital si dhe mundësinë e konfliktit të interesi.
Në çdo rast, angazhimi i mjekut në institucionin shëndetësor jopublik nuk duhet të pengojë kryerjen e detyrës së tij/saj në institucionin shëndetësor publik, ose kjo veprimtari nuk duhet të kërkojë një angazhim mendor a fizik të tij/saj, që e bën të vështirë kryerjen e kësaj detyre, ose ushtrimi i kësaj detyre në institucionin shëndetësor jopublik mund të cenojë, në çfarëdo mënyre, imazhin e mjekut, saktësohet në pikën 6 të këtoj neni.
Në rast se titullari vlerëson se puna e dytë mund të pengojë kryerjen e detyrës në spitalin shtetëror e cënon, apo ka konflikt interesi atëherë e refuzon.
Emri në regjistër publik elektronik
Në rast se titullari vlerëson se nuk ka pengesa, miraton kërkesën dhe njofton ministrinë e Shëndetësisë. Kjo e fundit bën publikimin e të dhënave të këtij mjeku në një regjistër publik elektronik.
Masat diplinore e ndëshkimet
Në nenin 17 të Urdhrit të Mjekut parashikohen dhe masat disiplinore që merren për mjekët që kryejnë shkelje të etikës, të Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore ose ka bërë gabime teknike.
Ato janë
Masa: Vërejtje;
– Pezullim për të realizuar shërbime të caktuara mjekësore, për një periudhë nga 6 (gjashtë) muaj deri në 3 (tre) vjet;
-Pezullim të licencës së ushtrimit të profesionit të mjekut në tërësinë e saj, për një periudhë nga 6 (gjashtë) muaj deri në 5 (pesë) vjet;
-Gjobë me vlerë nga 100 000 (njëqind mijë) lekë deri në 1 000 000 (një milion) lekë;
– Heqjen e licencës për ushtrimin e profesionit të mjekut.
Procedimi disiplinor fillon brenda 5 vjetëve nga momenti i kryerjes së shkeljes. Në rastin kur mjeku ushtron detyrën në të njëjtin institucion shëndetësor, ku ka kryer shkeljen disiplinore, procedimi disiplinor fillon menjëherë nga momenti i konstatimit të saj.
Masa disiplonore vërejtje shuhet 3 vjet pas dhënies apo përfundimit të saj. Masa e pezullimit shuhet pas 5 viteve të përfundimit të periudhës së pezullimit apo të pagimit të gjobës. Ndërsa nëse një mjeku i hiqet licenca nuk kthehet më.
Kush gjykon penalitetet?
Shkrihen komisionet e gjykimit disiplinor profesional të cilat kanë qenë të ngritura dhe në nivel qarku dhe tani do të ketë vetëm dy struktura. Komisioni i disiplinës që funksionon pranë Urdhrit të Mjekëve, si dhe Komisioni i Apelimit pranë Ministrisë së Shëndetësisë.
Komisioni heton e gjykon në bazë të fakteve dhe provave të administruara dhe të seancës dëgjimore me anëtarin e Urdhrit të Mjekëve, ndaj të cilit mund të merret masa disiplinore. Realizon shqyrtimin e ankesave, hetimin administrativ dhe, në rast konstatimi të shkeljeve, cakton me vendim masat disiplinore.
Këto vendime brenda 10 ditësh mund të ankimohen tek komisioni i Apelimit që ngrihet pranë ministrisë së Shëndetësinë. Përbërja e të dy komisioneve rregullohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Vendimi i Komisionit të Apelimit është i ankueshëm në Gjykatën Administrative por ky ankimim nuk pezullon zbatimin e vendimit të këtij komisioni.
Mjekët me kod të ri
Me të hyrë në fuqi akti normativ (7 gusht 2024) Urdhri i Mjekëve duhet të hartojë Kodin e ri të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore, brenda 6 muajve. Me ndryshimet që janë bërë është Këshilli Kombëtar që harton Kodin e Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore por ia paraqet për miratim ministrit për Shëndetësinë.