Një nga restorantet që njihet më shumë në Vlorë është restorant Vangjeli. Aty gatuan Vangjel Kamberaj, ose nartioti.
“Kështu më thërriste Enver Hoxha, kur peshkonte në Drilon dhe unë isha kamarier”, tregon për vitin e largët kur pas shkolle punoi disa vite në shtëpitë e pushimit ku shkonte Hoxha, Pogradec e Vlorë.
Pas kësaj, nxënësi i dalluar i Evgjeni Harizit të famshëme, drejtoi mensën me 485 punëtorë në Triport.
Dhe nuk iku më kurrë nga aty. Në një cep të asaj mense dikur të madhe dhe plot histori, ka hapur një restorant të vogël dhe të veçantë për një arsye: është plot gjithmonë.
Tani po bëhen 50 vite që punon, kështu që ka dalë në pension.
“Vajzat e gruaja punojnë, tani. Unë vij vetëm në orën 3 të mëngjesit, marr peshkun, bëj gati kuzhinën dhe kur zgjohen ato, këtu është gati. Po vajzat më thonë, që njerëzit vijnë për mua, ndaj nuk dimë si do ia bëjmë me këtë pensionin tim“, tregon ai për Dritare TV.
Vangjeli është dëshmitari dhe tregimtari më i mirë i Triportit. Ka gatuar për njerëzit që e ngritën. U ka dhën bukë njerëzve që ikën me anije nga Triporti në Itali.
“Ata donin vetëm bukë thatë”- kujton ai. Pastaj ka parë njerëzit që e shkatëruan Triportin.
“E vodhën të gjithin në 97-ën. Atëherë pamë tmerrin me sy, ne dhe Triporti”, tregon Vangjeli që nuk e la as atëherë atë vend.
Edhe tani që në Triport ka rinisur puna, për të bërë portin e ri, përsëri ata që punojnë, hanë te Vangjeli. Se nuk ka Triport pa Vangjelin, po as Vangjel pa Triportin.
“Nuk iki unë jo, po vajzat më thonë, na le këtu. Une i mbajta, edhe në 97-ën, kur ikën dhe policët, une i mbajta këtu, po tani nuk do i mbaj përgjithmonë. Ato e dinë vetë”, thotë nartioti nga Koculi.
Se në fakt ai është lab i pagëzuar. Dhe është nostalgjik për kohën kur ishte aty ku peshkonte Enver Hoxha, por edhe për kohën kur shkonte në protestat e Berishës.
“Jam i djathtë, – thotë. Po më shumë dua Adem Jasharin. Se ai dha jetën për lirinë”.
Vangjeli të çudit e të kënaq me peshkun më të mirë të Vlorës dhe më të lirin.
“E kapim vete. Pse të rris çmimet. Dhe bukën e kemi tonën, e bën gjineka ime”, shprehet ai.