Në pyllin e Sodës në Vlorë, shikon me dhjetëra kampera të stacionuar. Janë turistë të huaj që kanë zgjedhur ta shohin vendin tonë në këtë mënyrë.
Nga Italia, Holanda, Gjermania, Belgjika apo edhe Sllovenia kanë zgjedhur që pjesë të itinerarit të tyre të vizituarit shtete të ndryshme me kampera të vendosin edhe Shqipërinë. Do të kalojnë pushimet në Vlorë, por edhe të eksplorojnë gjithë jugun dhe qytete të ndryshme të Shqipërisë.
“Ne jemi nga Holanda. Ne jemi këtu me një kamper. Është hera e parë dhe ne po e shijojmë. Ka njerëz të mirë dhe vende të mira për kamping. Do qëndrojmë diku te 1 javë ose 2 javë sepse po lëvizim nga vendi ne vend. Kemi vizituar qytetin e Vlorës. Edhe plazhet. Shumë bukur”, tha një turist.
“Unë jam nga Gjermania. Është dita e tretë qe rri në këtë vend kurse në Shqipëri kam 9 ditë që qëndroj. Më shumë më pëlqen natyra pasi është shume e bukur dhe befasuese. Dallimet ndërmjet fshatrave, janë shumë mbresëlënëse. Ushqimi është shume i mirë, plazhi është shumë i mirë dhe njerëzit jane shumë miqësorë”, tregoi një turist tjetër.
“Unë jam nga Belgjika. Kjo është hera e pare qe vij në Shqipëri. Kemi 2 javë, që qëndrojmë këtu. Më pëlqen ushqimi, njerëzit, janë gjithmonë të qeshur dhe të vinë në ndihmë, ata shpjegojnë çdo gjë përreth tyre çfarë ka për të parë, kështu që është shumë mirë të eksplorosh Shqipërinë për herën e parë. Ne kemi pare Malin e Zi, Kroacinë, Slloveninë, Austrinë, Gjermaninë dhe tani këtu”, ka thënë turisti.
Për Shqipërinë kanë dëgjuar nga miqtë e më pas kanë lexuar në internet. Ju pëlqen gjithçka këtu, nga ushqimi, bregdeti, natyra, çmimet e lira, por ajo çka veçojnë është mikpritja.
“Jam italian por jetoj në Spanjë, në Barcelonë. Kjo është dita jonë e dytë këtu. Më pëlqen, vend shume mikpritës. Tani për 15 ditë që do të qëndrojmë këtu dhe kemi mundësinë të eksplorojmë. Do të bëjmë një tur në të gjithë Shqipërinë. E zgjodhëm edhe pse është një vend shumë pranë Italisë. Dhe mund të pushosh me kamper në mënyrë komode. Kemi dëgjuar më parë që këtu ka shume turizëm dhe kjo na e shtoi kureshtjen”, tha një tjetër.
“Jam nga Ankona ne Itali, një qytet afër detit. Është hera e parë këtu. Kishim dëgjuar nga miqtë tanë impresione mjaft pozitive dhe kishim dëshirën dhe kureshtjen për ta parë. Do të jemi këtu për 10 ditë. Do të vizitojnë gjithë rivierën në jug të vendit. Na kanë thënë se janë vende fantastik. Vlora një qytet shume i bukur edhe pse kemi ende për të parë”, u shpreh një tjetër.
“Edhe unë jam nga Ankona dhe vij për herë të parë. Jam shumë e kënaqur që jam këtu edhe pse në ditët e para. Do të vizitojmë kryesisht plazhet por edhe qytete te tjera për ta njohur me mire Shqipërinë. Dita jone nis me zgjimin vonë, jemi me pushime, pastaj plazh dhe pse jo argëtim me familjen. Me duket një vend i bukur dhe mezi pres ta zbuloj te gjithë Shqipërinë. Kam mësuar për vendin tuaj nga miq ne rrjetet sociale dhe më kanë thënë se është një diamant i fshehur”, tha një vizitor italian.
Ka dhe nga ata që janë rikthyer për herë të dytë dhe të tretë në vendin tonë për gjithçka kanë gjetur këtu.
“Ne jemi nga Sllovenia. Është hera e tretë këtu. Më pëlqen deti, çmimet, dhe njerëzit janë të mirë dhe të sjellshëm. Tani, kjo është dita jone e dytë dhe ne do të rrimë rreth një jave. Me pas ne do te shkojmë në jug të vendit dhe drejt Greqisë. Lefkada.”, u shpreh një vizitor.
“Jam nga jugu i Italisë. Nga Potenza. Këtu vij për herë të parë. Kam shumë kureshtje për të vizituar jugun e vendit por edhe zona tjera të Shqipërisë. Kam dëshirë të shoh muze, manastire dhe Tiranën për të njohur edhe historinë e Shqipërisë. Shume miq na e rekomanduan Shqipërinë si destinacion turistik dhe dua të shoh nga afër edhe plazhet. Dita këtu kalon shpejt duke shëtitur. Ju jeni një popull mikpritës”, u shpreh turisti tjetër.
Ky lloj turizmi vitet e fundit në vendin tonë është shtuar në masë dhe koha e qëndrimit të tyre është e zgjatur në kohë, kjo edhe për shkak të reduktimit të kostove në mungesë të rezervimit të një hoteli.