Është siguruar vendimi i zbardhur të gjykatës së Korçës për caktimin e masës së sigurisë ndaj Denis Meçes i arrestuar si autor i vrasjes së Egli Progës më 10 gusht 2024 në Pogradec.
Vrasja ndodhi në afërsi të vendit quajtur “Axhensia”, tek rreth-rrotullimi, lagjja nr.2 në Pogradec. Për Denis Meçen policia e kishte referuar materialin për ‘vrasje me dashje’ ndërsa Prokuroria zbuti akuzën në ‘vrasje nga pakujdesia’ me argumentin se materialet që kishte sjellë policia e kualifikonin veprën penale në këtë akuzë.
Fjetja në makinë dhe fshehja në Buçimas
Denis Meçe ka treguar se atë ditë ka qenë në lokal nga ora 15:00 duke pirë. Më pas rreth orës 18:00 ka ardhur Egli Proga. Pasi janë zënë për cigaren, Meçe ka dalë përjashta ndërsa thotë se viktima ‘ka vijuar ta ofendojë”
Duke qenë kjo situatë, që ai vazhdonte nga brenda të shante, unë kam hyrë brenda dhe i kam thënë “ore çfarë ke që shan” por ai ka vazhduar sërisht të shajë dhe unë i kam thënë “po hajde pak jashtë të flasim”. Ai më tha “po hajde se çfarë do më bësh, do më hash k..in” dhe kemi dalë jashtë. Unë kam dashur t’i fus një shpullë ta qetësoja, por sa i jam afruar kam ngritur dorën, ai është rrëzuar në tokë dhe nuk u ngrit më. Mua nuk më është besuar hiç dhe pasi jam frikësuar nga situate, jam larguar. Dua të them se unë kisha gjithë ditën që konsumoja alkool dhe me sa pashë edhe ai ishte i dehur.
Në vendimin e zbardhur të datës 13 gusht të gjyqtares së Korçës, Luljeta Kole, të siguruar nga gazetarja Keti Banushi, zbulohet se Meçe pasi është larguar nga vendngjarja ka fjetur në makinë. Më pas pasi është përmendur ka telefonuar avokatin dhe i ka kërkuar për ta shoqëruar në komisariat.
“Rrugës për në fshatin Buçimas kam ndaluar makinën time në krah të rrugës dhe kam fjetur, pasi isha i dehur, kur më ka dalë gjumi. mora në telefon avokatin, duke i thënë se çfarë kishte ndodhur, pasi kisha merak dhe ai më tha që personi i dëmtuar kishte ndërruar jetë. Në këtë moment i kam thënë avokatit “eja më merr dhe më shoqëro për në komisariat sepse dua të jap deklarimet time”. Dua të theksoj se nuk kam patur konflikte me personin e dëmtuar, as nuk kam patur njohje me të, nuk kam patur qëllim për të sjellë këtë pasojë, por edhe nuk kam patur qëllim që t’i shkaktoj asnjë lloj dëmtimi. kam dashur vetëm t’i tërheq vëmendjen, por ai ishte në gjendje aq të dehur sa me zor e mbanin këmbët”.
Në seancën gjyqësore avokati ka thënë se 29 vjeçari ka pasur vullnet për të dhënë shpjegime për atë që ka ndodhur pasi ai nuk ka pasur për qëllim të kryejë vrasjen e babait të dy fëmijëve, dhe as të largohet.
“Avokati Eduart Muçi deklaroi në gjykatë se klienti I tij Denis Meçe nuk ka pasur për qëllim t’i fshihet drejtësisë largimi i tij menjëherë pas ngjarjes ka qenë i pavullnetshëm dhe në kushtet kur ka qenë i dehur. Ai ka fjetur në automjet derisa është përmendur, ka telefonuar atë si avokat, dhe pasi i është shpjeguar se çfarë kishte ndodhur, vetë i ka kërkuar për ta shoqëruar për në Komisariatin e Policisë.
Vullneti i tij ka qenë për të dhënë shpjegime në lidhje me sa ka ndodhur, pasi ai nuk ka pasur për qëllim të kryejë vrasjen e një shtetasi, dhe as të largohet, pavarësisht se pasoja është e rëndë dhe kemi të bëjmë me humbjen e një jete’
Garanci 1 mln lekë për të mos e futur në burg
Në dosje zbulohet dhe se avokati ka kërkuar garanci prej 1 mln lekësh për ndryshimin e masës së sigurisë ‘arrest shtëpie’ por gjykata nuk e ka pranuar.
Sipas mbrojtjes, arrestimi në flagrance i këtij shtetasi duhet të cilësohet si i ligjshëm, por kërkohet që ndaj këtij shtetasi të caktohet një tjetër masë sigurimi, e ndryshme nga arresti në burg, mbajtur parasysh marzhin e dënimit që parashikon dispozita, rrethanat e kryerjes së veprës penale, mënyrën si ka ndodhur ngjarja, qëndrimin e personit nën hetim, faktin që nuk ka qenë i dënuar më pare, faktin që nuk ekziston mundësia për t’u larguar apo për t’iu fshehur drejtësisë, faktin që nuk ka mundësinë e dëmtimit apo prishjes së provave. Kërkohet nga gjykata që të caktohet si masë sigurimi “arrestin në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale ose “Garancia pasurore” në shumën 1.000.000 lekë, e cila është një vlerë e konsiderueshme dhe i garanton gjykatës që nëse ky person i fshihet drejtësisë dëmi ekonomik do të jetë tepër i madh.
Kërkoi ndjesë në gjykatë
Denis Meçe ka kërkuar ndjesë dhe ka thënë që është i keqardhur për sa ka ndodhur, pas nuk ka pasur për qëllim ta dëmtojë dhe aq më tepër ta vrasë të ndjerin.
Vetë shtetasi nën hetim Denis Meçe deklaroi se është dakord me sa parashtroi avokati. Ai kërkon ndjesë dhe është tepër i keqardhur për sa ka ndodhur, pas ai nuk ka pasur për qëllim ta dëmtojë dhe aq më tepër ta vrasë të ndjerin” shkruhet në vendim.
Më 12 gusht Gjykata e Korçës caktoi masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për Denis Meçen për akuzën e vrasjes nga pakujdesia’ dhe ‘detyrim me paraqitje’ për tre të arrestuarit e tjerë të akuzuar për ‘moskallëzim krimi’ Voltan Shulku, Arian Manellari e Leonidha Guçe ./SHQIPTARJA