Pak orë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur dje (8Gusht) në azilin privat të të moshuarve “Ruaje Moshën” në Tiranë, ku historiani dhe shkrimtari Zyhdi Shehi, 78 vjeç, ka goditur disa herë me bastun hekuri në kokë shokun e tij të dhomës, Virxhil Vesho, 82 vjeç, Policia zbulon edhe detaje të reja nga dinamika e krimit të cilësuar si “vrasje me dashje”.

Arrestimi i autorit të dyshuar, që besohet se veproi në gjaknxehtësi pas një grindje me motive të dobëta për zënien e krevatit, grupi hetimor ndaloi edhe dy punonjëset e azilit, pasi akuzohen se fshehën të vërtetën.

Referuar po hetimeve dhe zhvillimeve të pasngjarjes, janë zbuluar edhe emrat e dy infermiereve të ndaluara nga policia; Nazime Mulla dhe Glesantina Saraçi. Hetimet po i ndjek më tej Prokuroria e Tiranës, teksa po verifikohen kamerat e sigurisë dhe mblidhen dëshmitë.

“Në vijim të veprimeve hetimore të thelluara të kryera u arrestuan shtetaset G. S., 26 vjeçe, dhe N. M., 31 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë, me profesion infermiere në azilin ku akomodoheshin dy të moshuarit”, njoftoi zyrtarisht policia e kryeqytetit.

Dhe më tej sqarohet edhe arsyeja e ndalimit, vepra penale dhe se hetimet mbeten ende aktive:

“Nga hetimi i kryer u siguruan prova të mjaftueshme, që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se dy të arrestuarat në bashkëpunim me njëra-tjetrën, kanë konsumuar veprën penale “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 301/25 i Kodit Penal. Këto dy shtetase nuk kanë njoftuar organet kompetente për ngjarjen e ndodhur si dhe kanë kryer veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Nga provat e deritanishme dhe dyshimet e arsyeshme të ekspertëve, “dy infermieret nuk kanë marrë në telefon policinë, por një agjenci funerale”. Në polici ato kanë pretenduar se “nuk e kanë kuptuar që Zyhdi Shehi kishte vrarë Virxhil Veshon, por sipas tyre kanë menduar se është rrëzuar dhe i ka ardhur vdekja aksidentalisht” dhe jo nga dhuna e ushtruar nga shoku i dhomës së azilit.

Krimi i rëndë ndodhi mëngjesin e djeshëm në lagjen “Ali Demi”, teksa autori i dyshuar Zyhdi veshi është një emër i njohur në fushën e Historisë dhe Letërsisë, i nderuar me medaljen “Naim Frashëri” për punën e kryer në arsim dhe “Qytetar Nderi” i Kavajës për hulumtimet historike. Autoritetet ligjzbatuese njoftuan se të dy të moshuarit vuanin nga skleroza.