DR. VASFI BARUTI/ “E zuri gjaku”, mençuri e popullit, kur e kreu apo në rrugë ta krejë. Vrasësin “e zë gjaku” i të vrarit dhe pushtohet nga hutimi, çoroditja mendore, çka thotë një herë vjen kundër, herë tjetër, s’e mban vendi…! Si “e zuri gjaku” e pamë tek Qemal Stafa, por në rastin Nako Spiro “zënia e gjakut” është me përshfaqje groteske. Qemalin e rrëmbeu patogjeni intelektual zili, në argumenti Papa Francesku; kurse Nako Spirun e kollofiti po patogjeni intelektual, por me emër ”Hakmarrje”, ama është dyfishe: e para, hakmarrje për ç’pësoi tronditje nga një copë letre që Tito ia la në dorë Enverit, kur ishte vizitë në Beograd (1947); dhe e dyta, hakmarrja anti-Tito që Nako refuzoi nënshkrim marrëveshje tradhtie shqiptaro-jugosllave.

Nako numër dy i Partisë komuniste në luftë, udhëheqës i Partisë, më i afërti i Enverit. Në luftë u vendosën lidhje koherente me raporte e informacione të bazës së Partisë me qendrën, thuajse shkruajti çdo numër të “Zëri i Popullit”. Pas lufte Presidenti i BRASHI-it, Ministër i Industrisë, President i Komisionit të Planit të Shtetit, i ngarkuar i posaçëm nënshkrues (në Beograd) i marrëveshjeve skllavëruese, ekonomike midis dy vendeve, kur edhe lindi konflikti me Beogradin, i cili i kërkon të firmoste në çast marrëveshjet porse Nako ngulmon të pritej edhe nënshkrimi i parë të ishte i Enverit. Nëntor ’47 Nako S. mbylli jetë me vetëvrasje/vrasje!

Në Plenumi Dytë i Beratit Nako Spiro ishte njëri nga ”skifterët” më kritik për Enver H.: “Ne nuk donim që emri i Enverit të dilte udhëheqës i luftës. Gjer dje as që kishte dalë emri i Enverit, por sot edhe në listë gjellësh ka emrin e Enverit.”1 Dërrmuese ishte edhe biografia e Enverit[1] e shkruar prej tij në italisht2 me kërkesë të Nijaz Disdareviç misionar i rëndësishëm i Titos, i cili ia vuri në dorë Enverit kur ishte delegacion në Jugosllavi (1947). Letra fatale për “vetvrasje” e Nako S. e botuar nga N. Disdareviç, siç shihet në titullin sllavisht, kurse është po ai Nako që shkruan “Biografi e shkurtër e Enver Hoxhës”, me tone gjeniu!

Pak rreshta të ”biografisë” së Enverit nga Nako S. shkruar me korrigjime larg së qeni letër për Tito, siç njihet sot në historiografi. Nako S.me të vërteta, por gaboi vetëm në një, inteligjenca mediokër: ”Enveri /…/ Inteligjencë mediokër. Në shkollë jashtë shtetit dhe si profesor mediokër. Në Parti sektar. /…/ Tani do ti bëhen lajka. Krijoi klikë rreth vetes. Do të jetë i pari në çdo gjë e t’i marrë të gjithë me shqelma. Të tjerët do t’i shohë fare të vegjël. Asnjë cilësi prej udhëheqësi. /…/ Në popull nuk është njohur e atje ku është i njohur, nuk gëzon reputacion /…/” Letra e Nakos e çoi në apogje armiqësinë e Enverit ama s’ka ndalje armiqësia e tij.

Me letrën e Nako S. për Enverin, Tito synoi dy goditje njëherësh: njëra, te Enveri ngjallje armiqësi kundër Nako S., si faktor negativ për forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe mënjanimi i tij nga nënshkrimi i marrëveshjeve ekonomike dhe goditja tjetër kundër vetë Enverit për sa ai bëhej i njohur për Titon, me synim forcimi i pushtetit të tij mbi kreun e Shqipërisë.

DETAJET BËJNË HISTORINË!

Vitet 90 e më pas pati mjaft shkrime e opinione për vetëvrasje/vrasje të Nako S. Verdikti zyrtar qeveritar “vetëvrasje” e Nako S.: “Aksidentalisht vrau veten kur loste me revolverin e tij sa bisedon me funksionarë të Komisionit të Planit.”

Kurse verdikti i pasmë: “Vetvrasja”, përgjegjësi në mosmarrëveshjet e krijuara me Jugosllavinë! … Skena e parë, kur në Beograd Tito nxori nga arkivi dhe i dha në dorë Enverit biografinë e tij denigruese shkruar nga Nako S. dhe pas kësaj diktatori ndërtoi skenë krimi. Skena e dytë, komunikata qeveritare ç’ngjau në sallën e Komisionit të Planit të Shtetit. Skena e tretë, ç’rrëfen informatori i fshehtë i Sigurimit për bisedën e Nakos me shokë të Komisionit të njëjtën kohë në mbrëmjen e gjakosur përkundër me diskutime në Byronë Politike. E katërta, skenë krimi nga kryeshefi i krimeve Koci. X., realizuar pas orës 11:30 në mjediset e Komisionit të Planit të Shtetit. Me qasje detaje të skenave e pas- skenave…

Komunikata qeveritare, 21 nëntor: ”Dje më 20 nëntor 1947 rreth orës 19:45 Ministri i Industrisë dhe Kryetar i Komisionit të Planit aksidentalisht vrau veten. Fatkeqësisht ndodhi në këto rrethana: ndërsa bisedonte me disa shokë, funksionarë të Komisionit të Planit ay loste me revolverin e tij, i cili papritur i plasi në duar duke e goditur në trup. Plumbi qëlloi nën sisa e majtë. Me urgjencë të madhe transportohet në Spitali Ushtarak, vdiq ora 22:05 e 20 nëntorit.”3

Kryeministri Hoxha në komunikatë me dorën e tij shihet i pushtuar nga çoroditje e epërme: deklarata e diktatorit “saktëson”: Në orën 19:45 Nako vrau veten kurse në ora 22:05 vdiq në spital, por fjalët vrau e vdiq janë sinonime dhe akcila e dy fjalëve ka një e vetëm një kuptim: “dha shpirt.”

Referim nga raporti i “Djalit” (informator i fshehtë) ditët e mortit të Nako S.: ”Një ditë në dyqani im erdhi një komunist e më tha: ”Natën kur u vra Nako unë me shokët tanë dhe Nako kemi qenë bashkë në Komisioni i Planit deri në ora 11:30. Nako i tradhtoi, e vranë, pësoi fatin e Mustafa Gjinishit …”5

Përndryshe nga komunikata qeveritare, që vrasjen e saktëson si vrasje teksa luante me armën e vet, Enveri heq maskë e zbulon fytyrë 35 vjet më pas, në libri i tij Titistët: ”… Pak minuta pas orës tetë d.m.th 20:00 në të cilën ishte caktuar mbledhja ai vrau veten, si armik, si tradhtar i Partisë.”4

Diktatori në pështjellim e çorientim të plotë në Komunikatën qeveritare për Nako S.: Asnjë fjalë për homazhin (ora kur e ku), ceremonia e përmortja përcjellëse (ora kur?) dhe homazhet (kur?). Mbahet i fshehtë homazhi të evitohet pjesëmarrja qytetare në varrim, pak qytetarë mundë të kapërcejnë pengesa dhe asistojnë në varrim!

Diktatori i rrokur nga ngufatje vrastare nxjerr nga dora komunikatën qeveritare ding me trille. Ora 20 e 20 nëntorit në mbledhje me byroistët diktatori damkos Nakon armik e tradhtar i Partisë, kur në komunikatën qeveritare të asaj date diktatori ndjehet i “keqardhur” dhe vdekjen e Nakos e ndjen ‘fatkeqësi‘.

Diktatori urdhërdhënës “i kapur nga gjaku” në turbulencë ngjethëse intelektuale nga vrasja e Nakos dhe ja ç‘referon ambasadori ynë në Moskë, Mihal Prifti, dhjetë ditë pas vrasjes, 30 nëntor 47, nga raporti Petrov diplomat i lartë sovjetik për Enver Hoxha e Nesti Kerenxhi: “… unë nuk e kuptoj se si mund të ketë ngjarë vrasja e tij (Nako S.). Ne kemi marrë tre telegrame nga Tirana, por akoma nuk e kemi të qartë vrasjen e tij. Telegramet vinë në kundërshtim njëri me tjetrin. Njëri thotë se është goditur në krah, tjetri thotë se është goditur në këmbë e tjetri gjetiu. Nuk e kuptoj se si ngjau që të mos jenë të rregullt telegramet. /…/ Pra nuk është e qartë tek ne vrasja e tij [Nako S].”6 Telegrame të llojllojshëm i nisen Kremlinit me dorën e diktatorit ndryshe komunikatës zyrtare qeveritare, shkruar me dorën e vet dhe kësisoj kryeministri vuan i kapur keqas nga gjaku Spiru.

Në pështjellim edhe punonjës të dikastereve qeveritare. Në Komisioni i Planit të Shtetit me president Nako S. mëtohet të krijohet pështjellim tek punonjësit për vrasjen e Nako S. Margarita Tirana ish-punonjëse e Komisionit të Planit të Shtetit: “… Na lajmëruan për vdekjen e Nakos, nuk vonoi dhe erdhi versioni: humbi jetën duke luajtur me armën, por erdhi e një version tjetër: Ishte i dehur kur ia hoqi vehtes.”7

Prof Fejzi Hoxha: “… Në dosjen hetimore mungon ekspertiza mjekësore.”, citimi nga mjeku Bardhyl Cipi.8 Nga spitali Ushtarak kufoma s’mund të dalë pa ekspertizë ndaj ajo bie preh e censurës politike ose ekspertiza s’bëhej për interesa politike, që e vërteta të varroset me arkmortin.

Terri informativ preh e censurës politike e s’mund të mendohet pa dorë gjakatare e kryeqeveritarit Hoxha. Nga ora 19:45, kur Nako “vrau” veten, vdekjen e mbuloi terri informativ: Buletini Radiopërhapja, nga ora 6:45 kur nis emisioni deri ora 21 kur mbyll emisioni, nuk ka asnjë shenjë lajmi për vdekjen Nako S., terr informativ dit/nata e 21 nëntorit nga mëngjesi në mesnatë. Gazeta Bashkimi e gazetat e tjera kaluan me heshtje 21 nëntorin, kurse gazeta Rinia të shtatën ditë del me një faqe të bardhë pa asnjë koment!

Fotografi e përgjaktë qeveritare, sa njëmijë fjalë! Ceremoni mortore me kortezh para kryeministrisë, rreshti i parë me dukje Koçi Xoxi, Enver Hoxha, Omer Nishani, Myslim Peza, pas qeveritarët e byroistët, ceremoni mortore në fshehtësi pa qytetarë. Pa fjalë lamtumire, arkivoli në makinë, që s’i gjen të ngjashme. Hakmarrje e gjakosur e kryqeveritarit diktator!

CEREMONI “FONEBËR” PËRCJELLJE NAKO SPIRU, MASKË QEVERITARE GJITHPËRSHIRËSE!

Marria e patogjenit hakmarrje, kufoma e qeveritarit Nako S. s’përcillet në varrim nga asnjë zyrtar i lartë apo i ulët. Në ceremoni varrimi nderojnë familjarët, tiranas me gishtat e dorës që mund të kalojnë pengesat e shumta; edhe regjistrues të fshehtë të raportojnë ç‘shohin e dëgjojnë nga ceremonia mortore. Të vetmit “zyrtarë” në varrim ishin varrmihësit për hapje e mbulim varri të Nako Spiru!

DOSJE SEKRETE!

Diktatorin Enver e ha meraku cili është opinioni qytetar në Tiranë për “vetëvrasjen” Nako S. E meraku mbeti në dosje (47 faqe), fondi sekret i Sigurimit të Shtetit: “Parrulla të elementit armik /…/ mbi vetëvrasjen e shokut Nako Spiru.” Fragmente nga raportet e informatorëve të fshehtë të sigurimit me pseudonime, si Trajko, Tubum, Thaso, Mali, Maziku, Novela, Ajri, Djali etj. Dosja me emërtesë “Vdekje Fashizmit Liri e Popullit. Parulla të hedhura në lidhje me vrasjen aksidentale të shokut Nako Spiru.” Opinioni qytetar për Nako S. me kryefjalë: vrasësi i Nako S. është Enver H., është shteti.

Shkëputje nga dosja. “… Vath Ismaili (rruga 4 Dëshmorët nr. 55) ka thënë: “U bënë tre veta që hëngrën kokën, ky i madhi [Enveri] e ha ndonjë ditë kokën.” Zyra Mancaku: “U vra Nako Spiru, ishalla kanë me u vra të gjithë.” E ëma (anëtare e Partisë.) Marika Lubonja: “Këta vetë vulosin vetë vrasin, Enveri e Koci nuk e deshin Nakon…” Findesa Qatia: “ E vrau vetë Enveri lugat e shkon e sheh…” Fadil Dizdari: “Si Nako Spiru do pësojnë të gjithë qeveritaret.” Xhorxh Zanuta: “Kanë qënë në Kuvendi Popullor e vrau Enveri a Koci.” Tefta Dema: “Nako shkoi kurban i Enverit /…/ Nakon e vrau Enveri në Kuvendi Popullor…” Cace (vjerra e Zanutos): “E vrau qeveria vetë… “. Medie Preza: Nako Spiru e ka vrarë vetë pushteti…” Myzejen Mustafa: “Kur po shkonin në kufomën e Nakos: E vranë Nakon, s‘ka si të vrasë vehten.” Muhamer Pilku: “E kenë vrarë shokët pa dashje…” Kolë Mastaku: “Nako u vra kur ishte duke bërë mbledhje. Kjo vrasje nuk mund të kuptohet si është vrarë mes të gjithëve.” Vait Ceka: “U vra Nako prej kujt s‘dihet, do jetë ndonjë mosmarrëveshje.” Apostol Sotiri (Tolka): ”Nako Spirun e kanë vrarë komunistat, Partija, pse nuk kishin besim tek ai.” Neta Shehu. “Nakon e ka vrarë reaksioni brenda për brenda.” Aziz Alliu: “Nakon e vranë e pësoi si Mustafa Gjinishi…” Baba Rustemi: ”Nako nuk më besohet kurrë të mbajë revolver me vehte për mbrojtje /…/ Nako vdiq por ka babën në burg dhe nuk dihet e kanë nxjerrë të jetë këtu…” Sulejman Veshi… “Ishallah Nako Spiru ka këmbën e mbarë për të tjerët. Populli nuk i ha ato që thonë këta se Nako u vra aksidentalisht, këta e vranë vetë.” Shefi kontabël i NSHI të Cigareve:”… Nako Spirun e ka vrarë Kiço Ngjela” (Rr. Nr. 1).9

Nako Spiru, vrasje apo vetvrasje? Vrasje qeveritare, nga patogjeni hakmarrje. Skenarist e regjisor diktatori Enver, me gjymtyrë qeveritare. Nako Spiru pesë herë i ndërrohet varri, pa të ngjashme në histori. Qemal Stafën e kollofiti patogjeni intelektual zilia, Nako Spirun patogjeni intelektual me emrin hakmarrje; me Qemal S. dikatori me maskë të çjerrë, me Nako Spiru fare-fare pa maskë.

BURIME KRYESORE

1. AQSH, Fondi 14, 1. Dosja 2/1, 1944.

2.Spiro Dede, 2021.

3.Bashkimi 1947: 22 nëntor.

4.E. Hoxha. Titistët: 388.

5.Djali, AIDSSH ish Arkivi i Ministrisë Brendshme, Dosja 54, viti 1947.

6.Arkivi i Ministrisë së Brendshme, Fondi Dega e Shifrës, 1947, D. 9, Fleta 1-3. Cituar nga Kastriot Dervishi, Plumba politikës 2009:218

7.Margarita Tirana, cituar nga Ferdinand Dervishi. Info Arkiva.

8.Mjeku Bardhyl Cipi Sot News 2016: 2 nëntor.

9.AIDSSH, Dosja nr. 54, viti 1947

/Gazeta Panorama