Vritet një tjetër anëtar i ekipit të mediave në frontin e luftës, teksa ishte në krye të detyrës për kanalin prestigjioz “Reuters”, së bashku me grupin e reporterëve në Ukrainë.
Ryan Evans u vra të dielën (25 Gusht) dhe dy gazetarë të tjerë të “Reuters” u plagosën në sulmin e ndodhur me raketë ruse ndaj hotelit “Sapphire”, në qytetin e Kramatorsk. Evans punoi si konsulent sigurie për agjencinë.
Vetë agjencia “Reuters” e konfirmon ngjarjen dhe detyrën e të ndjerit, duke shpjeguar se Evans punonte si konsulent sigurie për agjencinë dhe ishte pjesë e ekipit prej 6 personash që qëndruan në hotelin e goditur me raketë nga Rusia.
Një ish-ushtar britanik, Evans kishte qenë me agjencinë që nga viti 2022 dhe këshillonte gazetarët e saj për sigurinë në mbarë botën, duke përfshirë në Ukrainën, Izraelin dhe në Lojërat Olimpike të Parisit. Ai ishte 38 vjeç, teksa rrethanat ende nuk janë publikuar.