Nga Ylli Pata

Sot që ka kaluar më shumë se një vit nga 14 maji 2023, kuptohet edhe më shumë gjëma e madhe që Gazmend Bardhi i bëri jo vetëm opozitës, por gjithë jetës politike shqiptare.

Ndalimi për të kandiduar 61 kandidatë të Partisë Demokratike në zgjedhjet vendore, i hoqi shansin publikut, sidomos atë që e quajnë “populli opozitar”, të shohë, e të provojë një “armatë” të re politikanësh që mund të dilnin në pah, në këtë skenë të varfër teatri provincial.

Skërmitja e “tigrave” që bënin të fortin me Lul Bashën e sot janë zbutur me doktorin, nuk është fare drama e opozitës shqiptare. Ajo është thjesht shprehja e vërtetë e karakterit politik dhe personal të këtyre personazheve që kthyen fletën thjesht për të siguruar një vend në listën e doktorit.

Po çfarë do të sillte më 14 maj 2023 që opozita të kishte një ansambël më të gjerë kandidatësh në 61 bashkitë e vendit?

Do të sillte padyshim një risi, një debat plot kolor dhe mund të pasuronte panoramën me protagonist të freskët, të rinj, e natyrisht dinamik.

Edhe në mos të fitonin, skena politike do të kishte një kompetivitet reaktiv për kandidatët e rinj për deputetë. Të cilët nuk do të linin rehat kryetarët e partive për t’i future në listë, por do të bëheshin protagonist për të shkuar zëri i tyre jo vetëm tek demokratët por tek i gjithë elektorati.

Në një panoramë të tillë, ku mazhoranca garon për mandatin e katërt, çdo element, personazh, zë apo zhvillim i ri do të kishte efekt më të madh në publik. Madje një debat i brendshëm brenda opozitës do të përmbyste ndoshta totalisht mënyrën e të bërit debat.

Mjafton ta krahasojmë me rastin “Biden” në SHBA. Vetëm një muaj më parë, situata ishte krejt ndryshe, e qëndrueshme e super frustruese për të gjithë përkrahësit e demokratëve, ndërkohë që republikanët e Trump po projektonin të sigurtë fitoren. Vetëm një debat i brendshëm brenda Partisë Demokratike Amerikane, që në të vërtetë nuk se shkoi larg për të gjetur kandidaten për Presidente, i dha tjetër dinamikë jo vetëm garës, por të gjithë skenës.

Sot opozita nuk ka ç’i ofron popullit të saj, por edhe pjesës gri dhe votuesve të PS-së, përveçse listat që do të prodhojnë Sali Berisha, Lulzim Basha, Dash Shehi, Fatmir Mediu e Agron Duka.

Një fotokopje që e kanë parë e stërparë për 33 vjet. Maksimumi, “tigrat e zbutur” do të bërtasin pas shtatorit, duke kërcënuar se do bëjnë namin deri në zgjedhje. Po janë të njëjtët, ata që i gjithë elektorati ja ka mësuar jo vetëm huqet e veset, por edhe gjuhën e trupit.