Analisti Mentor Nazarko, në intervistën për gazetaren Juli Krisafi në ABC News, komentoi edhe fitoren e kandidatit socialist Vangjel Tavo në bashkinë e Himarës. Sipas Nazarkos, me rezultatin e zgjedhjeve u përcollën dy mesazhe kryesore, njëra prej të cilave është fitorja e Shqipërisë ndaj Greqisë.
“Mesazhi kryesor është fitorja e Shqipërisë përballë Greqisë. Në një kuptim, vota që ka përcaktuar fitoren e Tavos është vota pro e qytetarëve shqiptarë që janë ndjerë të bezdisur nga propaganda greke, e personifikuar dhe nga një kandidat si Gjikuria, i cili ndonëse ishte i edukuar në fushatë me tema kryesore përgjithësisht korrekte, që preferoi gjuhën greke në vend të shqipes në rrjetet sociale. Madje çështja e Belerit vazhdoi ta dominojë fushatën e tij në Himarë dhe në këtë kuptim kush ndihet shqiptar në atë fshatrame origjinë dhe histori të lavdishme shqiptare, madje dhe brenda Himarës fshat apo Gjilekës vendosi që të votojë për këtë alternativë. Duket si paradoks, pasi edhe vetë Tavo është grek. Nga një libër i Kadaresë- Dimri i madh për një nga teknikat e shërimit në Rusi të pijanecëve kronikë, pra deintoksikimi kryesor I tyre bëhej me mbidoza alkooli deri në neveri. Në këtë kuptim në betejën midis grekut të vërtetë që ishte Tavo, me grekun e induktuar me financimet helenike të 100 vjetëve të fundit, fitoi ai që është grek i vërtetë, i integruar në shoqëri, që respekton kushtetutën e vendit. Në një farë mënyrë nëpërmjet fitores së tij,- ky është mesazhi i dytë-, Shqipëria i tregon botës se në Himarën ku ndeshen dy grekë kësisoj, nuk ka diskriminim të gjoja pakicës greke. Pra kjo ishte vlera e zgjedhjes së Tavos- që mund të ishte shqiptar etnik- përballë një kandidati të sillogjeve të SHBA që nuk kanë më fuqi si dikur: tema e greqizimit hoq nga debati publik në Himarë, por edhe në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare. Nga ana tjetër, Tavo është personifikimi i dikujt që është integruar në shoqërinë shqiptare, që bën biznes, me sukses, që ka shkuar në të gjitha partitë kryesore shqiptare dhe në këtë kuptim, do t’i mbahet rreptësisht atij që është kuadri kushtetues apo etik të politikës shqiptare. “Shqiptarë apo grekë zgjodhën njeriun që i garanton interesin e tyre, pronën, turizmin në koherencë me bujqësinë, duke bashkëpunuar me qeverinë qendrore”, – tha Nazarko.
Por a u braktis Gjikuria nga opozita? Nazarko shtoi:
Nuk e besoj këtë. Doja të thosha që një konkluzion që vjen nga Himara dhe që ka vlerë nacionale, është se në Himarë dështoi opozita e bashkuar, plus Greqinë, përballë koalicionit qeverisës të udhëhequr nga Rama. Greqia pa armët e ndryshkura të pensioneve, shtetësive, vizave, plus opozitën e bashkuar, nuk arriti dot që ta mundë dot shumicën në të gjithë Shqipërinë. Ajo që thoni ju është ilustrim i një përpjekjeje që ka bërë zoti Dule, që ne do të vazhdojmë luftën kundër shtetit shqiptar-mision i kësaj particke allashqiptare në fakt që po tretet. Beleri është simbol i kësaj lufte, madje edhe Gjikuria përmendi emrin e Belerit si një lloj flamuri i Greqisë, i Vorio-Epirotizmit në Shqipëri dhe si konfirmim i asaj narrative të një force politike të tejkaluar si PBDNJ, narrativa e diskriminimit të minoritetit, diçka që nuk është reale. Tavo është narrativa e kundërt, e minoritarit që është integruar, që bën biznes, që respekton kushtetutën e Shqipërisë. Pres që sipas narrativës normale fabula të zhvillimit të Himarës si një e tërë, Tavo të fokusohet tek zhvillimi real i Himarës me turizmin e bujqësinë që janë komplementare.”, shtoi Nazarko.