Një vatër zjarri është përhapur mbrëmë pas mesnate në Dhërmi, e cila dyshohet se është shkaktuar nga shpërthimi i disa fishekzjarreve. Në disa video që janë publikuar në JOQ, shihet se si në zonën e fshatit, pranë kompleksit ‘Zoe Hora’, fillimisht shpërthejnë fishekzjarre dhe më pas përhapet një vatër e madhe zjarri, e cila më pas është vënë nën kontroll.
Edhe pse duhet thënë se nga policia nuk ka asnjë njoftim zyrtar për ngjarjen, pavarësisht interesimit që ZËRI ka bërë dhe në drejtorinë e Policisë së Vlorës.
Një pjesë e pushuesve janë tmerruar nga flakët e zjarrit, e madje ka pasur prej tyre që janë larguar në drejtim të makinave.
Pavarësisht se fishekzjarret prej kohësh janë të ndaluara në Shqipëri, festimet në mesnatë janë kthyer në një trend të zakonshëm, duke cënuar jo vetëm qetësinë e qytetarëve, por edhe situata më kritike, siç ishte ajo e mbrëmjes së djeshme në Dhërmi, në kulmin e sezonit turistik.
Kompleksi “Zoe Hora”, për të cilin policia e Vlorës apo Himarës, nuk ka bërë ende asnjë reagim është ndërtuar mbi themelet e shtëpive 200-400 vjeçare, që ishin ngritur nga banorët vendas.
Fshati turistik është ndërtuar nga firma “Gjikuria” e Florenc dhe Milo Gjikurisë, ndërsa zyrtarisht pronësia e resortit “Zoe Hora” i përket zonjës Xheni Gjikuria, pronare e 100% të kuotave të kapitalit të kompanisë “COAST TO COAST”.
Kjo kompani, ishte ndër bizneset që përfituan miliona lekë nga fondet e IPARD për bujqësinë, por me to ndërtuan vila, dhe nuk u investuan në projektet për të cilat u kërkua mbështetje.