Manchester United zyrtarisht ka kompletuar transferimin e dyshes Matthijs De Ligt dhe Noussair Mazraoui nga Bayern Munich. Dy lojtarët ishin kërkuar me ngulm nga trajneri Erik Ten Hag, i cili i ka drejtuar ata në vitet kur ishte në pankinën e Ajax.
De Ligt ka firmosur një kontratë pesë vjeçare që do e shohë atë të jetë pjesë e klubit deri në vitin 2029, me mundësinë për ta zgjatur akordin edhe një tjetër vit. Ndërsa kontrata e Noussair Mazraoui zgjat deri në vitin 2028, por gjithashtu me mundësinë e rinovimit të saj për një tjetër edicion.
De Ligt u transferua për 45 milionë euro në klubin anglez, me bonuse deri në 5 milionë euro të terja që do të vijnë në bazë të arritjeve individuale dhe të Man. Utd në vitet në vijim. Për Noussair Mazraoui u paguan 15 milionë euro plus një bonus i parashikuar prej 5 milionë eurosh.