“Sot hapin dyert 25 shkolla të reja”

Në ditën e parë të vitit të ri shkollor, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka përcjellë një mesazh urimi për të gjithë nxënësit, mësuesit dhe prindërit. Në mesazhin e saj, Ministrja theksoi rëndësinë e edukimit cilësor dhe përpjekjet e qeverisë për përmirësimin e kushteve në shkolla, duke u fokusuar tek investimet e kryera për të rritur standardet e mësimdhënies.

“350 mijë nxënës ulen sot në bankat e shkollave, ndërsa 28 mijë prej tyre e kalojnë për herë të parë pragun e shkollës,” tha Ministrja.
Ministrja vuri në dukje se janë bërë investime të rëndësishme për përmirësimin e infrastrukturës arsimore, duke përfshirë ndërtimin dhe rikonstruktimin e 100 shkollave dhe objekteve të tjera arsimore gjatë vitit 2024.
“25 shkolla të reja kanë hapur dyert e tyre sot, duke mirëpritur rreth 10 mijë nxënës dhe mësues.”
Një tjetër fokus i rëndësishëm është përfshirja e teknologjisë dhe inovacionit në arsim.

“Kemi investuar në 200 shkollave me 216 laboratorë SMART, ku rreth 35 mijë nxënës do të përfitojnë nga programet e reja të TIK dhe programimit.”
Ministrja vuri theksin te rritja e pagave për mbi 30 mijë mësues dhe përpjekjet për zhvillimin e tyre profesional përmes trajnimeve falas, me synim për të përfshirë 16 mijë mësues në Programin Kombëtar të Zhvillimit Profesional.
Manastirliu gjithashtu përmendi zgjerimin e mbështetjes për nxënësit me aftësi të veçanta, duke rritur numrin e mësuesve ndihmës në 2100, si dhe investimet në terrene sportive dhe palestra, për të promovuar një stil jetese të shëndetshëm për të gjithë nxënësit.
Në përfundim, Ministrja Manastirliu uroi suksese për të gjithë nxënësit dhe mësuesit në këtë rrugëtim të ri arsimor, duke shprehur mbështetjen e plotë të qeverisë për një arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës.

Mesazhi i plotë i Ministres së Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu:

Të dashur nxënës, prindër dhe mësues!

Sot fillojmë këtë rrugëtim të vitit të ri shkollor së bashku, edhe unë jam po aq e emocionuar sa ju, sepse çdo vit sjell sfida dhe mundësi të reja për të gjithë.
350 mijë nxënës ulen sot në bankat e shkollave, ndërsa rreth 28 mijë prej tyre e kalojnë për herë të parë pragun e shkollës.
Të dashur nxënës të klasës së parë, shkolla është vendi ku ju do të mësoni, do të zbuloni botën, dhe më e rëndësishmja, të ndërtoni të ardhmen tuaj.
Kemi punuar fort që këtë vit të keni mundësinë të mësoni në shkolla edhe më moderne, që mësuesit të jenë edhe më të motivuar, që shkollat të jenë më të pajisura me materialet didaktike të nevojshme, të cilat do t’ju ndihmojnë të zhvilloni intelektin dhe personalitetin tuaj që nga fillimi i shkollimit dhe gjatë gjithë edukimit tuaj.

Mundësuam tekstet shkollore falas për 238 mijë nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe për 16 kategori të veçanta të nxënësve në gjimnaze.

Investimet në infrastrukturën shkollore kanë mundësuar që sot të hapin dyert 25 shkolla të rindërtuara, të cilat mirëpresin rreth 10 mijë nxënës dhe mësues. Vetëm përgjatë këtij viti kemi investuar dhe po investojmë në rindërtimin dhe rehabilitimin e 100 objekteve arsimore në të gjithë vendin.
Në një epokë ku teknologjia po ndryshon me shpejtësi mënyrën se si mësojmë dhe punojmë, kemi hyrë në një fazë shumë të rëndësishme për të përmirësuar aftësitë digjitale, aftësitë kreative dhe nxitjen e mendimit kritik.

Këtë vit, 200 shkolla 9-vjeçare janë pajisur me 216 laboratorë SMART, duke u dhënë nxënësve mundësinë të mësojnë përmes kurrikulës së re të TIK dhe programit Code Monkey, ku rreth 35 mijë nxënës janë tashmë të përfshirë në këto klasa.
Rrugëtimi juaj drejt dijes nuk është vetëm i juaji, por edhe i prindërve dhe mësuesve tuaj që do të jenë aty për t’ju mbështetur në çdo hap.

Ky vit i ri shkollor i gjen mësuesit me pagat e rritura, duke mundesuar qe mbi 30 mije mesues te sistemit tone arsimor te kene page dinjitoze.

Vlerësimi dhe mbështetja për mësuesit janë thelbësore për një sistem që fokusohet te cilësia, ndaj, veç mbështetjes financiare, do të vijojmë të zhvillojmë programet e trajnimeve falas për të rritur kompetencat profesionale të tyre, me synim që mbi 16 mijë mësues të trajnohen përmes Programit Kombëtar i Zhvillimit Profesional.
Këtë vit do të kemi zhvillime të reja brenda shkollës, përmes roleve të reja të mësuesve:
640 mësues do të angazhohen gjithashtu si koordinatorë të sigurimit të cilësisë për mësimdhënien dhe orientimin e karrierës, bazuar në evidentimin e prirjeve dhe talenteve në çdo shkollë, duke ju ndihmuar ju dhe prindërit në zgjedhjet që do të bëni për të ardhmen tuaj.
Një prioritet i yni është edukimi gjithëpërfshirës dhe i barabartë për të gjithë fëmijët.
Këtë vit kemi rritur numrin e mësuesve ndihmës me 200, duke e çuar në 2100 numrin total të mësuesve ndihmës, të cilët garantojnë mbështetje mësimore për nxënësit me aftësi të veçanta.

Krijimi i mundësive për një stil jetese të shëndetshëm dhe aktiv për nxënësit është po aq i rëndësishëm për ne. Për këtë arsye, në vitin e ri shkollor po investojmë në terrene sportive dhe palestra moderne në shkolla, si pjesë e “Lëvizjes Sportive nw shkolla”; programi ynë kombëtar tashmë ka përfshirë mbi 10 mijë nxënës, me synimin për të zgjeruar më tej këtë program duke shtuar disiplina të reja sportive dhe duke e shtrirë në të gjitha ciklet arsimore.
Programet e nisura, si “Art dhe Zeje”, “Shkolla Qendër Komunitare”, Olimpiadat, Konkurset dhe një sërë programesh të reja do të shoqërojnë këtë vit shkollor, duke ju mundësuar një program sa më të pasur shkollor dhe jashtëshkollor.
Ju uroj suksese në këtë rrugëtim të bukur që sapo ka nisur!
Na qoftë i mbarë!