Si muaji më kulminant i sezonit veror, gushti pritej të mbante dhe peshën kryesore të prurjeve të turistëve në të gjithë harkun e sezonit veror. Me të gjithë entuziazmin për më shumë të huaj, rreth 200 mijë më shumë turistë e vizituan Shqipërinë krahasuar me gushtin e vitit 2023.
Për agjentët turistik të cilët operojnë me të huajt duke i sjellë në Shqipëri, kjo shifër ishte e pritshme.
Jetmira Hoxha, operatore turistike, shprehet për A2: “Filloi rritja, po shikohej pak nga pak dhe vërehej edhe në muajin korrik, por dhe gushtin ne e prisnim me këtë rritje duke nisur nga prurjet dhe kërkesa. Le të themi që kjo shifër pritej të ishte kaq.”
Por, në një total, Shqipëria duket të ketë kaluar shifrat e një viti më parë. Në 8 muaj vendin tonë e vizituan plot 8,5 milionë të huaj. Një rritje prej 1,3 milionë turistësh.
Teksa i publikoi në rrjete sociale, kryeministri Edi Rama i konsideron këto shifra si premtuese për të ardhmen: “Të dhënat e këtij tetëmujori të parë premtojnë rritje të mëtejshme në rrugën drejt Shqipërisë 2030, ndërsa viti turistik vijon me grupe të tëra që shijojnë destinacionet e shumta nga veriu në jug, në majat e maleve, pikat e trashëgimisë kulturore, luginat e lumenjtë përgjatë trupit të mrekullueshëm të Shqipërisë, si edhe në Tiranën e kthyer në stacionin e preferuar të turistëve”.
Në 2024, shtetet të cilat shënuan rritjen më të lartë të turistëve që vizitojnë Shqipërinë krahasuar me një vit më parë janë Maroku, Kina, Turqia, Japonia, Franca, Holanda etj. Ndërsa Spanja, Meksika, Italia e Gjermania vijon ecurinë pozitive edhe këtë vit.
“Kosovarët kanë qenë të parët krahasuar me italianët që sollën goxha rritje, por kemi pasur dhe rumunë, francezë, nga Amerika të shumtë, hollandezë, apo spanjollë i shohim kudo në Shqipëri”, thekson Jetmira Hoxha.
Ndonëse muajt korrik e gusht patën një ngadalësim të rritjes së shifrave të turistëve në vendin tonë, Ministria e Turizmit parashikon arritjen e synimit të 14 milionë të huajve deri në fund të vitit. (A2 Televizion)