Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në një intervistë të dhënë këtë të shtunë në Euronews Albani u pyet nëse do të pranonte të zëvendësonte Ervin Salianjin si drejtues politik të Partisë Demokratike në Elbasan.

Tabaku u shpreh se vendimmarrja për drejtuesit politikë është ekskluzivitet i kryetarit të partisë, duke theksuar: “Drejtuesit politik janë një vendimmarrje statuore e kryetarit të partisë dhe le t’ia lëmë trupave të Partisë Demokratike të marrin vendimet e duhura.”

Tabaku u ndal dhe te arrestimi i Ervin Salianjit, të cilin e cilësoi si një figurë shumë të rëndësishme.

E pyetur se si do të vijojë aksioni opozitar, Tabaku tha se do të nisin protestat të cilat kishin kohë që diskutoheshin.

“Kjo protestë kishte kohë që diskutohej, por çdo ditë shtohen gjëra të tjera. Sepse protesta qytetare lidhet edhe me situatën ekonomike dhe sociale, por ndërkohë ndodhi burgosja e Ervin Salianjit, moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për deputeten Xhaçka, pra ndodhën faktorë të tjerë që në një moment ku ndodhet Shqipëria shpresoj të shkaktojë atë mbështetje popullore që është e nevojshme.

Ka pasur shumë kohë që strukturat e PD kërkonin organizimin e një protestë dhe mendoj se është momenti për ta bërë”, tha Tabaku.