Teksa ka mbajtur konferencën me median, para se të ekzekutohej vendimi i formës së prerë të Apelit të Tiranës për burgosjen me 1 vit izolim për “kallëzim të rremë”, deputeti demokrat Ervin Salianji u pyet nëse ishte telefonuar apo kishte marrë mesazh mbështetës nga ish-kreu i PD-së, Lulzim Basha, i cili në kohën kur u bë denoncimi i audio-përgjimit e ka mbështetur çështjen e “Babales”.
Salianji nuk dha përgjigje direkte, duke iu shmangur me interpretim të situatës dhe zhvillimeve, duke mos u përqendruar vetëm tek një person. Ai tha se çështja sot nuk ishte kjo, por nënvizoi se ka marrë mbështetje nga të gjithë, përveç kryeministrit Edi Rama.
Salianji tha se “është mbështetur edhe nga ata me të cilët nuk ka pasur pikëpamje të njëjta”, por nuk e përmendi Bashën në asnjë rast.
Deputeti më tej theksoi se mazhoranca po cenonte ligjin dhe Kushtetutën, duke kryer në procedura të përshpejtuara gjithçka për burgosjen e tij pas vendimit, duke mos zbardhur vendimin e Apelit të Tiranës apo duke mos marrë autorizim nga Kuvendi para se të ekzekutohet ky vendim.