Administrata publike do të ketë godina të reja, të cilat do të ndërtohen nga studio ndërkombëtare. Në një aktivitet, ku ishte i pranishëm dhe kryeministri Edi Rama, u publikuan projektet e para të 4 godinave që pritet të ndërtohen. Rama tha se do të ndërtohet një kompleks i madh qeveritar ku do të vendosen një sërë institucionesh shtetërore që ofrojnë shërbime publike.
Kreu i qeverisë bëri të ditur se aktualisht disa institucione publike që sot janë të akomoduara në godina të ndryshme, disa prej të cilave të trashëguara nga periudha komuniste, kanë një kosto prej miliona Euro qira vjetore.
“Janë 10 finalistë të ndarë në 2 grupe që përballë jurisë ndërkombëtare do prezantojnë projekt-idetë e tyre lidhur me 4 zhvillime të rëndësishme të cilat janë 4 zhvillime që i hapin rrugë një faze të re, një qasje të re dhe padiskutim një roli të ri të shtetit në raport me pronën publike. Aktualisht sot institucionet publike paguajnë disa miliona Euro në vit qira për të ushtruar aktivitetin e tyre në mjedise që janë larg së qeni të denja për ambicien tonë të Shqipërisë 2030, larg të qenit të denja për atë çka meritojnë qytetarët që shërbehen, larg së qeni të denja për kushtet në të cilat duhet të punojnë shërbëtorët e shtetit.
Janë një sërë institucionesh që vazhdojnë ushtrojnë aktivitetin në godina që nuk kanë asnjë lloj vlere të asnjë natyre, por paraqesin edhe probleme të vazhdueshme mirëmbajtje si rezultat i të qenit godina të vjetra të trashëguara nga periudha komuniste. Sot arkitektët janë thirrur të na ofrojnë idetë dhe projektet e tyre për të na dhënë mundësinë që të ndërtojnë një kompleks të madh qeveritar që do akomodojë një numër të konsiderueshëm institucionesh dhe një tjetër godinë publike ku do të akomodohen të tjera institucione që janë sot në nevojë të madhe për të pasur një vend të denjë”.
Pas realizimit të këtyre 4 projekteve, një rol të rëndësishëm do të ketë Koorporata Shqiptare e Investimeve, që do të administrojë këto godina dhe nuk do të jepen më te privati siç ka ndodhur deri më sot.
“Ky moment është shumë i rëndësishëm pasi më në fund kemi një agjenci që është krijuar me ligj disa vite më parë, por për ngritjen e së cilës është dashur punë përgatitore, që quhet Koorporata Shqiptare e Investimeve. Ajo që ndodhë falë Koorporatës Shqiptare të Investimeve është që shtetit nuk do dorëzojë më prona te privatët por do futet në rol aktiv për të nxjerrë nga shfrytëzimi i pronave publike të mira publike dhe për të nxjerrë përfitime financiare për vetë shtetin. Për ne është një kënaqësi që këto sfida të mëdha të zhvillimit të jenë gjatë gjithë kohës të shoqëruara nga një prani e arkitektëve ndërkombëtarë”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.
10 studiot pjesëmarrëse në këtë konkurs janë: Studiot pjesëmarrëse në konkurs janë:ANDREA CAPUTO (Itali) dhe SO-IL (USA), COLDEFY (Francë), EMBT Architects (Spanjë), SNOHETTA (Norvegji), ZAHA HADID Architects (UK), ARCHI-TECTONICS (USA), ARCHITECTURE STUDIO (Francë), BAUKUH (Itali), COOK RESEARCH (Angli) dhe MAD Office (SHBA).