Nga Nju Jorku, ku po merr pjesë në aktivitetet e nivelit të lartë përgjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, theksoi se rritja e antisemitizmit kërcënon stabilitetin e shoqërive në mbarë botën, teksa bëri thirrje për vigjilencë.
“Shqipëria është në ballë të përpjekjeve ndërkombëtare për të adresuar keqkuptimet, gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimin,” tha ai, duke rikujtuar se Shqipëria adoptoi përkufizimin e antisemitizmit nga IHRA në vitin 2020, dhe u bë vendi i parë me shumicë myslimane që e bëri këtë.
Gjatë fjalës së tij në eventin e Nivelit të Lartë Ministror mbi Luftën kundër Antisemitizmit dhe Gjuhës së Urrejtjes përmes Edukimit, duke iu referuar konfliktit në Lindjen e Mesme, ministri Hasani theksoi rolin e dezinformit dhe keqinformimit në amplifikimin e antisemitizmit, si edhe dënoi narrativat që shtrembërojnë krimet e kryera nga Hamasi.
“Ajo që shohim sot është thjesht e papranueshme. Ne shprehim shqetësim serioz për narrativat, online dhe offline, që mohojnë ose shtrembërojnë krimet e kryera,” nënvizoi ai.
Shqipëria mbetet një avokate kyçe në luftën globale kundër antisemitizmit, diskriminimit dhe urrejtjes fetare, duke qëndruar e vendosur në përkushtimin e saj për promovimin e paqes dhe tolerancës.
Takimi i organizuar nga Franca, mblodhi liderë globalë për të diskutuar rritjen alarmante të incidenteve antisemitike në mbarë botën, të përkeqësuara nga zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme