Trupi gjykues në gjykatën e Apelit do të shprehet më 26 shtator për vendim mbi deputetin Ervin Salianji lidhur me dosjen “Babale”.
Gjatë fjalës së tij në seancë Salianji ka thënë se nuk i njeh personat e përmendur në dosje, e për pasojë nuk mund të organizonte ai audiopërgjimin.
Vetë Salianji është shprehur: “Unë jam këtu sepse viktimës i është dëmtuar reputacioni. Ne kemi nxjerrë dokumentin të gjykatës italiane ku kemi thënë që Geron Xhafa eshtë i dënuar në Itali për trafik droge, dhe vallai i tij është ministër i brendshëm. Në tetor me vjen një gazetar dhe më thotë që kam bërë një investigim për një person të fuqishëm që është Geron Xhafaj dhe rezulton i përfshirë në trafikun e drogës dhe me tha a keni ju mundësi ta publikoni nëse media që unë punoj nuk e publikon. Ku hy unë këtu, se nuk e kuptoj. Nuk ka kallëzim, ca vepre është ajo që jam dënuar unë, kallëzim publik. Denoncimi është bërë në 14.5.2018 dhe ne e kemi peshuar gjate. Kemi patur grup juristësh që ne e kemi patur audio përgjimin që në tetor 2017. Si ka mundësi që për një denoncim që ne kemi bërë publikisht nuk ka reaguar asnjë për tre dite rresht. Fredi Alizotin dhe Albert Veliun unë nuk i kam takuar asnjëherë, si ka mundësi që e kam organizuar unë një kallëzim të rremë me dy persona që nuk i njoh. Të gjithë prokurorët e gjyqtarët qe janë marrë me këtë çështje janë shkarkuar nga vetingu. I përdoren dhe i hodhën të gjithë”.
Sakaq prokurori i Apelit, Arben Qose u shpreh në seancë se e vlerëson të drejtë vendimin e gjykatës së shkallës së parë ndaj deputetit Salianji.
“E vlerësojmë të drejtë vendimim e gjykatës së shkallës së parë dhe nuk evidentojmë shkelje procedrale gjatë gjykimit. Në lidhje me ankimin e Olldashit dhe Salianjit, vërej që argumentet janë të njësoj. Pa dashur të hyj në dinamikëm e faktit penale, vlerësoj se shkaqet e ngritura në ankim nga dy të pandehurit nuk janë shkaqe që mbështeten në ligjin procedural penal. Në vlerësimin tonë provohet përtej cdo dyshimi të arsyeshëm, që e kanë konsumuar veprën penale pëe të cilën akuzohen. Në tërësinë e vlerësimit të provave, tabulatet telefonike, komunikimet provohet jo vetëm njohja, por edhe dita kur kanë regjistruar audio përgjimin. Në përfundim, vlerësoj se vendimi i gjykatës është i drejtë dhe kërkoj të lihet në fuqi.” – u shpreh ai.
Më poshtë ABC News sjell disa nga diskutimet e zhvilluara në seancë;
Në diskutimet e zhvilluara në seancë, gjykata ka theksuar se Fredi Alizoti ka depozituar kërkesë për heqje dorë nga ankimimi.
Gjykata: Fredi Alizoti ka depozituar një kërkesë për heqje dorë nga ankimi me argumentin se ka përfunduar dënimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së parë.
Sefa: Ka disa shkelje procedura në këtë vendim
Më tej avokati Sefa është shprehur: Kërkojmë që gjykata e apelit të rrëzojë disa vendime të gjykatës së shkallës së parë që nuk ka pranuar të merren disa dëshmitarë. Ne kërkojmë rihapje të procesit gjyqësor dhe të vijnë të gjithë personat që kemi kërkuar si dëshmitarë në këtë proces. Përfundimisht kërkojmë pafajësinë e Jetmir Olldashit dhe prishjen e vendimit të shkalles së parë. Ose të rigjykojë çështjen dhe të marrë në pyetje të gjithë dëshmitarët.
Ndërsa avokati Ledio Braho i cili ka përgatitur mbrojtjen prej 55 faqe ka thënë: Vendimi i shkallës së parë nuk ka asnjë pretendim tonin, përveë se kemi kërkuar pafajësi. Vendimi është i pa arsyetuar. Janë falsifikuar një serë faktesh. Vendimi nuk është hedhur në asnjë moment në faqen e gjykatës. Janë rrëzuar një sërë kërkesash nga ana jonë dhe asnjë nuk është argumentuar.
Ditën se sotme pritet të jepet vendimit lidhur me këtë dosje. Saliajji dhe avokatët e tij mbrojtës janë të pranishëm. Të pranishëm janë edhe disa deputetë të Partisë Demokratike.
Kujtojmë se Deputeti i PD Ervin Salianji është dënuar me një vit burg nga shkalla e parë për akuzën e kallëzimit të rreme, ndërsa vendimi është ankimuar në Apel.