Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla njëheresh dhe Drejtues Politik i Partisë Socialiste për Diasporën zhvilloi një takim me Ministrin e Brendshëm të Bavarisë Joachim Herrmann.
Përmes një postimi në rrjetin social facebook ministri Balla deklaron se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Bavarisë, kanë njohur zhvillime të rëndësishme gjatë viteve të fundit në planin politik, ekonomik, arsimor, kulturor etj.
“I jemi mirënjohës Bavarisë dhe CSU për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në rrugën drejt BE-së. Në Bavari jetojnë e punojnë mbi 17 mijë shtetas shqiptarë dhe vlerësojmë lehtësimin e procedurave për lejet e qëndrimit dhe punësimit. Gjithashtu në Universitetet e Bavarisë studiojnë mbi 700 studentë shqiptarë”, shkruan ministri Balla.
Gjatë vizitës në Mynih ministri Balla do të takohet dhe me përfaqësues të Bundestagut gjerman si dhe me bashkëatdhetarët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Bavari.