Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, e pranishme në Samitin e Bledit në Slloveni ka vlerësuar Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës si aeroportin me rritjen më të shpejtë në Europë.
“Saktësisht një vit më parë ne prezantuam planin e ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe puna ka filluar të tregojë rezultatet e para. Le të ndalemi për një moment dhe të kremtojmë këto arritje, për të cilat ju udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor duhet të jeni shumë krenarë. Aeroporti i Tiranës ka rritjen më të shpejtë në Europë”.
Edhe Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve konfirmon rritjen e vazhdueshme të aeroportit të Rinasit për numrin e lartë të pasagjerëve. Në të dhënat e fundit Shqipëria vijon të jetë në krye të listës me mbi 200% më shumë pasagjerë nga ajri se në vitin 2019.
Ndërkaq, Shqipëria ka shënuar një numër rekord turistëve që kanë zgjedhur të udhëtojnë nëpërmjet Rinasit.
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, si porta hyrëse me e madhe ne vend, ka pritur 7.2 milionë pasagjerë gjatë periudhës janar-gusht të këtij viti.
Aeroporti i Rinasit është shndërruar në një qendër të rëndësishme rajonale për pasagjerët që udhëtojnë nga e gjithë bota. Synohet që deri në fund të vitit ky aeroport te tejkalojë shifrën e 10 milion pasagjerëve.