Teheran- “Vrasja e anëtarëve të lartë të Hezbollahut në Liban nuk do ta gjunjëzojë atë”.
Kështu u shpreh sot (e mërkurë, 25 Shtator), lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.
Të martën, një sulm në Bejrut vrau komandantin e lartë të Hezbollahut, Ibrahim Qubaisi, i cili drejtoi forcën raketore të grupit. Ai ishte një nga disa figura kyçe që janë vrarë që nga shpërthimi i luftimeve midis Izraelit dhe Hezbollahut, gati një vit më parë.
“Forca organizative dhe burimet njerëzore të Hezbollahut janë shumë të forta dhe nuk do të goditen në mënyrë kritike nga vrasja e një komandanti të lartë, edhe nëse kjo është qartësisht një humbje”, tha Khamenei.
“Rezistenca palestineze dhe libaneze do të ketë fitoren përfundimtare”, shtoi ai
Irani ka qenë aleat i Hezbollahut që nga krijimi i grupit të armatosur libanez, në vitin 1982.
Izraeli ka shtuar bombardimet në Libanin Jugor prej të hënës, teksa IDF ka shënjestruar të paktën 2 mijë objektiva. Raketat kanë vrarë deri tani rreth 600 njerëz, mes të cilëve 50 fëmijë.