“Krim i neveritshëm që kërkon ndëshkim shembullor nga drejtësia”, kështu e ka cilësuar ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ngjarjen tronditëse që ndodhi ditën e djeshme në Korçë teksa burri dogji me benzinë gruan e tij.
Përmes një reagimi në llogarinë e tij të “Facebook” ministri Manja shkruan ndër të tjera se drejtësia duhet të veprojë me vendosmëri dhe pa asnjë hezitim për të dhënë mesazhin e qartë se dhuna në familje nuk ka vend në shoqërinë tonë.
Manja vijon më tej teksa thekson se është detyrë e institucioneve dhe e shoqërisë të mbrojmë çdo nënë, çdo fëmijë, nga këto akte barbare, dhe të sigurohemi që ata që shkelin ligjin të marrin dënimin që meritojnë!
Postimi i plotë i Ministrit, Ulsi Manja:
Ngjarja tronditëse që ndodhi dje në Korçë, ku një nënë e dy fëmijëve të mitur u bë viktimë e dhunës së verbër në familje, është një krim i neveritshëm që kërkon ndëshkim shembullor nga drejtësia!
Ky akt i shëmtuar nuk mund të tolerohet dhe as të kalojë pa pasoja të rënda për autorin.
Drejtësia duhet të veprojë me vendosmëri dhe pa asnjë hezitim për të dhënë mesazhin e qartë se dhuna në familje nuk ka vend në shoqërinë tonë. Është detyrë e institucioneve dhe e shoqërisë të mbrojmë çdo nënë, çdo fëmijë, nga këto akte barbare, dhe të sigurohemi që ata që shkelin ligjin të marrin dënimin që meritojnë! (Lexo.al)