Bashkimi i të gjitha fraksioneve të Partisë Demokratike para zgjedhjeve të 2025 ishte një nga pikat që Luçiano Boçi e cilësoi si tepër të rëndësishme.
Por një ftesë për bashkimin me PD e drejtuar prej Sali Berishës nuk do të shkojë asnjëherë te Lulzim Basha, pasi sipas Boçit ish-kryetari ka vendosur vetë që të largohet përgjithmonë nga kjo forcë politike.
“E kemi sqaruar pozicionin e zotit Basha. Ka zgjedhur vetë zoti Basha që të jetë jashtë PD. Ata që e zgjedhin me vullnetin e tyre deklarativ unë besoj se kanë përcaktuar pozicionin e tyre.
Në politikë nuk ka gjëra që ekzistojnë përgjithmonë, por ka gjëra që njeriu i ka në dorë ti vendosë vetë përgjithmonë. Zoti Basha ka vendosur vetë që përgjithmonë të largohet nga PD, të largohet nga demokratët. Është zgjedhja e tij dhe le të vazhdojë në rrugën e tij”, tha Boçi në emisionin “Ditari” në A2 CNN.
I pyetur lidhur me zërat që tregojnë se ka negociata midis Sali Berishës dhe Lulzim Bashës për ta akomoduar këtë të fundit në listën e PD për zgjedhjet e 2025, Boçi e përjashtoi këtë mundësi.
Ai sqaroi se edhe mundësia e inkuadrimit si fraksion duke qenë se Statuti i ri i PD e lejon, nuk mund të shfrytëzohet nga Basha pasi afatet e regjistrimit kanë përfunduar.
“Ishin të gjitha kushtet dhe rrethanat që kushdo mund të regjistrohej si fraksion në PD. Nuk ka një iniciativë të tillë, ajo tashmë duhet të ishte dorëzuar sepse afrohet dhe afati zgjedhor, por unë nuk jam rixhit në përcaktimin tim sepse nuk u nisa nga qëndrimet e mia personale apo politike, por iu referova deklaratave të zotit Basha.
Është ai që ka qenë taksativ në këtë ndarje dhe thjesht po rikujtoj për publikun se nuk është zgjedhja jonë, pasi duket sikur ne nuk e pranojmë, por është zgjedhja e tij, është vetë përjashtuar. Nuk ka pranuar ai domethënë dhe përderisa nuk ka pranuar sigurisht që edhe ne jemi të vendosur të respektojmë vullnetin e tij. Le të vazhdojë rrugën që ka vazhduar deri tani”, sqaroi Boçi.