“Nëse një i panjohur hyn në shtëpinë time, do të qëllohet”: Kamala Harris e bëri pohimin e pazakontë gjatë një shkëmbimi shakash me prezantuesen e njohur Oprah Winfrey në një bashkëbisedim mes tyre të transmetuar live në Michigan.
Pas të qeshurave që pasuan, kandidatja demokrate për president u shpreh se “Me siguri nuk duhet ta kisha thënë një gjë të tillë, por stafi im do të merret me këtë më vonë”.
Harris e cila theksoi edhe gjatë debatit të fundit presidencial se ka armë në zotërim, nuk e kundërshton të pasurit e një arme për sigurinë personale, duke kujtuar se ka qenë prokurore, por mbështet ndalimin e armëve të sulmit.
“Një armë zjarri e tillë është e projektuar për të qenë mjet lufte dhe nuk ka vend në rrugët e një shoqërie civile”, pohoi ajo në bisedën me Winfrey. Sulmi i fundit me armë në një shkollë të mesme në shtetin e Xhorxhias solli sërish në qendër të vëmendjes numrin e lartë të vrasjeve me armë në Shtetet e Bashkuara krahasuar me vendet e tjera të zhvilluara në botë, sipas ekspertëve të shëndetësisë. Zëvendespresidentja Harris kërkoi ashpërsimin e ligjeve të armëmbajtjes
“Ne duhet t’i japim fund kësaj epidemie të dhunës me armë në vendin tonë njëherë e përgjithmonë. Këto incidente nuk duhet të ndodhin”, tha ajo, ndërsa shtroi përparësitë e saj për këtë çështje që në fillim të fushatës duke deklaruar se “ nedo të miratojmë ligje për kontrollin e së kaluarës të blerësve të armëve dhe do të ndalojmë shitjen e armëve sulmuese”.
Ndërkohë, rivali i saj republikan Donald Trump, ka premtuar heqjen e kufizimeve për armëmbajtjen nëse fiton në zgjedhjet e nëntorit.