Përpara nisjes së vitit të ri shkollor, grupet e punës së Bashkisë së Tiranës janë shpërndarë në të gjitha institucionet arsimore për t’i dhënë dorën e fundit punimeve të mirëmbajtjes. Paralelisht po realizohet edhe procesi i dezinfektimit të mjediseve brenda dhe jashtë shkollave. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ndoqi nga afër punimet në shkollën “Lasgush Poradeci”, ku tha se bashkia po punon që në 400 institucionet arsimore të qytetit të jetë e njëjta higjienë e pastërti për të pritur të vegjlit dhe nxënësit.

“Bashkia e Tiranës mirëmban rreth 400 godina të shpërndara nga qendra në periferi, nga periferia në zonat periurbane dhe mandej, në të gjitha zonat rurale. Tirana e madhe metropolitane ka 400 institucione arsimore të cilat duhen trajtuar njësoj. Po kryejmë një proces pastrimi siç pastrohet një shtëpi para se të na vijnë miqtë; po ndërhyjmë në të gjitha territoret e shkollave tona, brenda dhe jashtë, para se të na vijnë miqtë e vegjël”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku siguroi se cilësia e arsimit, sidomos në sektorin publik, është e jashtëzakonshme. “Kemi jo vetëm infrastrukturën më të mirë, kemi edhe mësimdhënien ideale, kemi edhe notat më të mira në Republikë. Prandaj, Tirana është ajo që është dhe të gjithë duan të vijnë në Tiranë sepse cilësia e arsimit, sidomos e arsimit publik, është e jashtëzakonshme. Sot kemi 400 institucione, nga të cilat 101 janë çerdhe dhe kopshte, 189 janë shkolla, të tjerat janë qendra sociale ose qendra të asistencës për persona me aftësi ndryshe, por parimi është që t’i trajtojmë të gjithë me të njëjtin standard”, tha kryebashkiaku.

Veliaj iu përgjigj edhe atyre që pengojnë punonjësit e Bashkisë së Tiranës të kryejnë procesin e dezinfektimit. Ai siguroi se të gjitha materialet e përdorura janë të aprovuara nga OBSH-ja. “E kuptoj që vëmendja është shumë më e madhe te kryetari i bashkisë e te Bashkia, për t’u kapur diku. Por, di të them se jam krenar për këtë punë që bëj. Edhe mjetet, edhe solucionet që përdoren janë të miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetit. Me të njëjtin solucion dezinfektohen edhe zyrat e OKB-së, edhe ambasadat, ndaj për të gjitha këto arsye ‘budallai i fshatit’ duhet t’i themi rri në shtëpi ose shko në shkollë sepse shkenca na ka sjellë deri këtu, shkenca na shpëtoi edhe nga Covid-i me vaksinën, me higjienizim, me sprucimin, shkenca na shpëtoi edhe nga kjo verë pa mushkonja. Me shkollat dhe ambientet publike nuk kemi pasur incidente, që shpeshherë i gjejmë te privati. Ftesa për të gjithë është të përqafojmë të mirën, të përqafojmë pastërtinë, të përqafojmë shkencën dhe të përqafojmë shkollat”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku nënvizoi se këto kushte që ofrohen në institucionet arsimore në kryeqytet, as nuk mund të mendoheshin 10 vite më parë. “Këto kushte që ofrojmë në shkollat tona ishin të pamenduara 10 vite më parë. “Lasgush Poradeci” 10 vite më parë ishte sikur ta çoje fëmijën në burg, se nuk ishte shkollë; “Betim Muço” nuk ekzistonte fare, ishte për pallat; shkollat e tjera ishin për turp e faqe të zezë. Kur vjen puna për t’i kthyer të gjitha shkollat në një standard, siç është shkolla “Lasgush Poradeci”, të gjithë të japim një dorë sepse e kemi vënë bastin jo tek zgjedhjet e ardhshme, por tek gjenerata e ardhshme. Çunat dhe gocat që mësojnë këtu, në këto kushte super moderne, duke u rritur mirë, do të rrisin mirë edhe Shqipërinë, në dallim nga ata që u rritën keq në vitet ’90 dhe vetëm dinë të pengojnë”, deklaroi Veliaj.