Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji, është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit të juridiksionit të përgjithshëm, me 1 vit burg për akuzën e kallëzimit të rremë, për dosjen e famshme “babalja”. Apeli la në fuqi vendimin e shkallës së parë, që e dënoi Salianjin me 1 vit burg.
Tashmë pritet që të ketë një vendim nga prokurori i çështjes, i cili do të lëshojë dhe urdhërarrestin për Salianjin. Vendimi i Apelit, djeg në këtë mënyrë karrierën politike të Ervin Salianjit, i cili tashmë humb dhe mandatin e deputetit, si dhe është në kushtet e ndalimit për të garuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Salianji ishte caktuar drejtues politik në qarkun e Elbasanit, për Partinë Demokratike.
Deputeti demokrat u dënua nga Shkalla e Parë për kallëzim të rremë në lidhje me përgjimet në Maj të vitit 2018. Gjykata e Shkallës së Parë vendosi se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë të 4 të pandehurit Fredi Alizoti, Albert Veliun, Jetmir Olldashin si dhe Ervin Salianjin. Në sallën e gjyqit, Salianji shoqërohej nga kolegët e tij deputetë të Partisë Demokratike, të cilët e quajtën skandaloz vendimin e dhënë.
Pas vendimit, Salianji pritet që të shkojë në qeli, pasi ligji e parashikon qartë se vendimi i apelit ekzekutohet menjëherë.
Prokurori pas leximit të vendimit do duhet të nxjerrë urdhrin e ekzekutimit, që për Salianjin është 1 vit heqje lirie. Më pas kjo do t’i dërgohet komisariatit përkatës për ta marrë e për ta dërguar në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës.
Nga aty, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve do të vendosë se ku do të vuajë dënimin Salianji.
Neni 71, pika 2, shkronja dh, thotë se mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi, dhe në këtë rast është e pavlefshëm vendimi i Këshillit të Mandateve dhe Rregullores në Kuvend.