Fatmir Bektashi akuzohet zyrtarsht nga SPAK se është njeriu që korruptoi Jamarbër Malltezin dhe ish-kryeministrin Sali Berisha.
Veç kësaj biznesmeni akuzohet se pastroi paratë e Malltezit me vlerë përmbi 5 milionë euro.
Se si i pastroi këto para, biznesmeni Fatmir Bektashi nuk dha asnjë shpjegim për mediat, përpos humorit.
Megjithatë përtej buzëqeshjes së biznesmenit të njohur faktet e SPAK janë të ftohta për sa kohë e kanë vendosur Bektashin në pozitën e të pandehurit.
Veç tij nën akuzë do të jetë për dosjen “Partizani” edhe Xhimi Begeja, emër i dalë gjatë mbledhjes së provave nga dy prokurorët e posaçëm.
SPAK përmend se shoqëria ndërtuese e administruar nga Bektashi sponsorizoi vizitën e një këngëtari italian të njohur gjatë fushatës së 2013 duke e konsideruar këtë si një akt ndikues.
Një ditë më parë, para prokurorëve të SPAK u njohën me akuzat ish-kryeministri Berisha dhe Jamarbër Malltezi, të cilët akuzojnë nga ana e tyre se hetimi për privatizimin e klubit sportiv Partizani, është politik.