Kreu i Policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj, ka paralajmëruar kallëzim penal ndaj kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cili pretendoi gjatë debatit parlamentar se është emëruar si drejtues policie, nga bandat kriminale.

Bardhi iu referuar komunikimeve në SKy Ecc dhe Encrochat, madje ka këmbëngulur se dokumentetet janë në dosjet e SPAK.

Por Sulaj në reagimin e tij shprehet se “emërimi im, është kryer rreth 3 vite më vonë se periudha kohore së cilës i referohet deklaruesi”.

Në vijim, ai paralajmëron se do të procedoj me hapat ligjorë që parashikon ligji në fuqi, përfshirë edhe depozitimin e një kallëzimi penal.

Komunikimet në Sky Ecc dhe Encrochat i përkasin periudhës 2020, ndërsa Sulaj është emëruar në 2023.

Reagimi nga Edmond Sulaj

Lidhur me disa deklarime të bëra nga një përfaqësus i një subjekti politik në seancën plenare të datës 12.09.2024 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për disa insinuata për emërimin tim Drejtor të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, unë ndiej përgjegjësinë morale dhe profesionale të sqaroj opinion publik se këto deklarata të bëra sot, janë shpifje, të pabazuara dhe synojnë që të cënojnë figurën time në këtë proces të rëndësishëm të hapjes së konkurseve për pozicionet drejtuese në Policinë e Shtetit.

Sqaroj opinionin publik se unë Drejtuesi i Parë Edmond Reis SULAJ, jam emëruar në këtë pozicion sipas Urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nr. 6108, datë 11.10.2023. Sqarohet qartësisht se emërimi im, është kryer rreth 3 vite më vonë se periudha kohore së cilës i referohet deklaruesi.
Në vijim, informoj se do të procedoj me hapat ligjorë që parashikon ligji në fuqi, përfshirë edhe depozitimin e një kallëzimi penal.
Faleminderit!