Detaje të tjera kanë dalë nga dosja e SPAK për çështjen e kompleksit “Partizani”. Nga dosja e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është zbuluar se shoqërisë “Homeplan” i bëhet likuidimi nga Andia Pustina dhe studio “Pustina”. Por, po Andia Pustina rezulton mikeshë e familjes Berisha dhe Malltezi, dhe madje edhe përpilon deklaratat e pasurisë për dorëzimin në ILDKPKI.

Kjo ngre dyshime në vërtetësinë e dokumenteve që ajo ka çuar ndër vite në deklarimin e pasurisë së Berishës dhe familjarëve të tij.

Ndërsa motra e saj, Laura Pustina, është personi që edhe përgatit kontrata të ndryshme apo akte në funksion të aktivitetit të zhvillimit të ndërtimeve por edhe të shoqërisë “Homeplan sh.p.k.”, është e martuar me Andi Toman. Ky i fundit, sipas SPAK, gjatë kohës që Sali Berisha ka qenë në pushtet ka mbajtur postin drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar.

“Në muajin maj 2008, krijohet shoqëria Homeplan sh.p.k., ku qëllimi i vetëm i krijimit të saj, është dokumentimi i të ardhurave dhe shpenzimeve që kryhen për privatizimin, që kryhen për ndërtimet, me qëllim për t’ u pasur nën kontroll nga Jamarbër Malltezi, për rezultatin final, marrjen e mitës (parave/ryfshet) së premtuar. Pjesë e këtyre përfitimeve, bëhet edhe Xhimi Begeja, i cili ka vepruar në terren si përfaqësues i familjes Begeja, megjithëse sjellim në vëmendje se tagrat si përfaqësues nga trashëgimtarët Begeja, i ishin dhënë Jamarbër Malltezi. Pas shpërndarjes së fitimeve, shoqëria Homeplan, nga ortaket vendoset të kalohet në likujdim, duke treguar edhe një herë se ekzistenca e saj ka qenë vetëm për dhënin e mitës,”-bëhet me dije ndër të tjera në dosjen e SPAK.

Por nuk janë këto të vetmet lidhje familjare që evidentohen në dosje. Audituese për kompaninë vendoset Shpresa Breçani, mbesa e Sali Berishës. E jo vetëm kaq, por ruajtësi i ambienteve ku zhvillohen ndërtimet, vendoset Fatbardh Breçani, vëllai i Erzen Breçanit. Ky person, po gjatë kohës që Berisha ka qenë në pushtet, ka mbajtur poste të rëndësishme drejtuese në Policinë e Shtetit. Në një episod, edhe emri i tij del në dosje.

Sipas SPAK, emri i Erzen Breçanit, përmendet dhe rezulton ndër dokumenta, në lidhje me ndërhyrjet që ka bërë Policia e Shtetit, gjatë kohës së lindjes së konflikteve ndërmjet shoqërisë ndërtuese Kontakt sh.pk, Homeplan shp.k. me qytetarë të ndryshëm. Por nuk jepet më shumë detaje lidhur merastet ku raportohet se ka ndërhyrë Breçani. Por kjo nuk është e vetmja dosje që ish-funksionari i lartë i Policisë së Shtetit ka në SPAK. Ai u arrestua pak muaj më parë pas zbardhjes së bisedave në SKY ECC, ku fliste me djalin e tij Eralbi Breçanin, i cili është shpallur në kërkim për trafik ndërkombëtar kokaine, bashkë me Ervin Matën.