Nga Mitro Çela

Viti 1983. Shoku ynë Enver kishte ditëlindjen: 75 vjeç.

Me këtë rast, populli, edhe pa dijen e tij, i ndërtoi një vilë në zemër të Bllokut.

Me dy kate.

Me pishinë brenda.

Me një duzinë me dhoma.

Me një sallë për mbledhje.

Ndërkohë kinostudioja po xhironte një dokumentar për jetën e liderit të komunizmit.

Një pjesë e dokumentarit do të “thurej” në vilë.

Sipas skenarit në mes të podiumit zuri vend shoku Enver.

Në një anë kryeministri, shoku Adil Çarçani.

Në krahun tjetër zëvendëskryeministri, shoku Besnik Bekteshi.

Salla, e mbushur me naftëtarë dhe minatorë.

Mes gazetarëve isha i ftuar edhe unë, në atë mot shef i sektorit ekonomik te “Zëri i popullit”.

Çdo mizaskenë xhirohej nën syrin vigjilent të shoqes Nexhmije.

Për ta përtypur më mirë tregimin, duhet të them, se në atë mot, shoku ynë Enver, vuante nga skleroza.

Kur u ndezën kamerat e mori fjalën shoku Enver:

-Sot dua t’i flas popullit tim, trim dhe liridashës për naftë.

Pse do të thoni ju?

Ua them unë:

Nafta çan bllokadën. Nafta në mëmëdheun tonë shtrihet në formë trekëndëshi:

Tomorr, Kuçovë, Cakran, Vlorë, Shëngjin.

-E dini sa naftë prodhuam në vitin 1980? Ua them unë: 1.3 milionë tonë.

Një vit më vonë, në vitin 1938…

-1981, shoku Enver, – ndërhyri me takt shoqja Nexhmije.

-Edhe ne të udhëheqjes i lajthitim vitet, – tha buzagaz, shoku Enver.

Një vit më vonë u prodhuan 200 milionë tonë naftë….

E mori ferra uratën.

Shoqja Nexhmije u bëri me shenjë kamerave.

Mori mikrofonin:

-Tani, bashkë me shokun Enver do të bëjmë një xhiro në kopshtin e shtëpisë.

Kamerat punonin. Herë pas here shoku Enver pyeste shoqen Nexhmije:

-Si dola?

-Shkëlqyeshëm!

Sipas skenarit, personazhi do të rikthehej në vilë për të pirë kafe.

Në hyrje të vilës ishin katër-pesë shkallë.

Unë u ndodha te dera. Çifti po ngjiste shkallët.

Shoku Enver më zgjati dorën:

-Ky është Mitro Çela. Gazetar. -tha shoqja Nexhmije.

-Ouu! Të kam lexuar?

Shkruan në gazetën “Le Monde”? -foli frëngjisht…

-Jo shoku Enver. Mitroja është gazetar te “Zëri i popullit”…

U futëm në sallë. Shoku Enver takonte punëtorinë.

U afrova edhe unë. Më përqafoi dhe më foli në rrëzë të veshit frëngjisht:

-Më dërgo telegram, kur ta botosh reportazhin. Jam i abonuar në “Le Monde”…