Fredi Alizoti, dëshmitari kyç i cili përmes rrëfimit të tij të dhënë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ktheu përmbys dosjen “Babale”, duke treguar se përgjimi për Geron Xhafajn, ishte një sajesë mes (Babales) Albert Veliut dhe vetë Alizotit, rezulton të jetë rrahur barbarisht nga Behar Bajri dhe anëtarët e grupit të tij, në Shkodër.
Dëshmia e Fredi Alizotit shërbeu jo vetëm për të pastruar figurën e Geron alias Agron Xhafaj në dosjen “Babale”, por u bë prova kryesore për dënimin nga gjykata me 1 vit burgim të deputetit të PD, Ervin Salianji, dënimin e Albert Veliut alias “Babale” dhe gazetarit Jetmir Olldashi.
Sipas bisedave të zhvilluara në aplikacionin “Sky” krijohet dyshimi se rrahja e Alizotit, është kryer në lagjen “Dobraç” të Shkodrës, ku Fredi në 3 korrik 2020, kishte shkuar në qytetin verior, duke depërtuar më pas në lagjen e Behar Bajrit në “Dobraç”.
Gazetari i “Ora News” Elton Qyno ka mësuar se në këtë kohë Behar Bajri, me firmën e gjyqtarit Sokol Shehu, kishte vetëm 4 ditë që kishte lënë qelinë e paraburgimit Nr. 313 në Tiranë, duke u vendosur në masën e “detyrimit për paraqitje”.
Teksa Behari, qëndronte në banesën e tij, në lagje kishte rritur masat e sigurisë, duke ju frikësuar një sulmi të mundshëm nga kundërshtarët e tij.
Mirëpo në rrethana të paqarta Fredi Alizoti nga Fieri protagonist kryesor i dosjes “Babale”, hyn në “Dobraç” dhe fillon të kërkojë Behar Bajrin, për ta takuar. Alizoti kapet nga anëtarët e grupit dhe rrihet barbarisht deri në atë masë, sa i shpëton urina në pantallona.
Dhuna fizike e kryer në grup ishte një specialitet i grupit të Behar Bajrit në Shkodër. Një fakt i tillë del gjatë dy bisedave që Behar Bajri zhvillon me biznesmenin Pëllumb Gjoka, ku mes komunikimeve të zhvilluara në aplikacionin “Sky” të datës 3 korrik 2020, Behari i thotë Pëllumbit:
“…a e njeh këtë se nuk e njoh unë, se më thotë veç kam ardhur me të taku për nji Alizoti… Fred Alizoti, qa ky…? Pyet njëherë…”.
Dhe Pëllumbi ia kthen si më poshtë vijon: “…prit të pyes…”.
Por Behari vijon t’i shkruajë Pëllumbit duke i thënë se nëse e kërkojnë, mund ta gjejnë aty në “Dobraç”.
“…pyet i her, a ka kush najgja ta hupi krejt. Nëse asht najgja, se e kam këtu kurvën…”-i thotë Behari, Pëllumbit.
Por ky i fundit ia kthen: “…është fierak, është mashtrues, ai që spiunoi…prit pak, është ai që spiunoi vëllain e Xhafës”.
Behari: “…aaaa po…nëse ka najgja e hupi krejt, nej shok a kujt që i intereson, por pyet njëherë…”.
Pëllumbi: “…Prit se po pyes at shokun tem at qerosin, po pate mundësi mja ban një foto…?”.
Ndërsa Behar Bajri ia kthen Pëllumbit duke i shkruar: “…Po Fred Alizoti, a ka ken në burg…?”
Por në këtë moment Pëllumb Gjoka i dërgon në “Sky” një foto të Fredi Alizotit, kur ka dalë para gjykatës së Tiranës për masën e sigurimit “arrest në burg” në dosjen “Babalja”, duke i shkruar Beharit si më poshtë:
“…asht mashtrues, po përcille…s’ka ça të duhet e mos fol asgja me atë. Është njeri kot komplet, nuk ja vlen për asgja…”.
Behari i thotë: “…i bani komplet pantadhonat shurr ky kurv, e nisi të shurrum…”.
Pëllumbi ia kthen: “…asht legen edhe mund ta fusin kundërshtarët për 500 mijë lek dhe policia…”.
Ndërkohë në një bisedë të dytë të zhvilluar sërish mes këtyre dy personazheve, Pëllumb Gjoka i ankohet Beharit duke i thënë se ku ishte futur që nuk e hapte telefonin, pasi i kishte rënë disa herë.
Por Behari ia kthen se nuk e kishte dëgjuar telefonin pasi ishte duke rrahur njërin, që kishte hyrë në “Dobraç” me kapele policie. Behari e sqaron Pëllumb Gjokën se e ka rrahur dhe më pas ja kishte dhënë në dorëzim furgonit për ta marrë.