TIRANË- Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste të Shqipërisë ka zhvilluar homazhe për nder të Gerti Bogdanit, ish-deputetit të Partisë Demokratike, i cili humbi jetën mesditën e së mërkurës si pasojë e një arresti kardiak.
Më herët zhvilloi homazhe dhe kreu i Shtetit, Bajram Begaj.
Ai u nderua dhe u kujtua nga kolegë, miq, shokë dhe simpatizantë të tjerë të Partisë Demokratike. Gerti Bogdani në rolin e tij si politikan spikati me urtësinë dhe intelektin që e karakterizonte.
Kush ishte Gerti Bogdani
Gerti Bogdani (lindur më 7 korrik 1980 në Tiranë), politikan shqiptar, ish-deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë.
Pasi mbaroi shkollën e mesme, me rezultate të shkëlqyera dhe “Medalje Ari”, vijoi studimet e larta në Universitetin Politeknik të New York-ut, ku diplomohet me ‘Nderimet më të Larta’, gjithashtu me medalje ari.
Pas përfundimi të studimeve Bogdani u rikthye në Shqipëri, ndërsa filloi karrierën profesionale në fushën akademike, ndërsa themeloi dhe drejtoi rrjetin e Studentëve Shqiptarë në Botë.
Në vitin 2007, Bogdani bëhet pjesë e politikës. Ai kandidoi në siglën e Partisë Demokratike për Kryetar të Njësisë Bashkiake nr. 10 Tiranë, garë të cilën e fiton.
Gjate kësaj kohe vazhdon edhe aktivitetin si zëdhënës politik i PD. Në vitin 2009, Gerti Bogdani, kandidon në Zgjedhjet Parlamentare të 28 qershorit 2009, dhe zgjidhet deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë.
Nga viti 2009 e në vijim, ai vazhdon aktivitetin e tij si Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike.
Në vitin 2011 zgjidhet zv/president i “Bashkimit Ndërkombëtar të të Rinjve Demokratë”. Ndërsa në në shtator 2015 zgjidhet Kryetar i kësaj organizate, ne Kongresin e zhvilluar në Lisbonë të Portugalisë, duke u bërë kështu politikani i parë shqiptar që mban një post kaq të lartë në një organizatë ndërkombëtare.
Pas vitesh angazhimi aktiv në strukturat drejtuese, në zgjedhjet e 2019, bëhet anëtari më i votuar në Kryesinë e Partisë Demokratike, me mbi 70% të votave. Në 2022 Bogdani garoi në primaret e PD-së për të qenë kandidat për garën e Tiranës, në zgjedhjet vendore të 2023. Gjatë angazhimit të tij politik, ai i ka dhënë gjithnjë zë nisma politike për mbrojtjen e vlerave të qytetarisë dhe trashëgimisë së Tiranës, qyteti ku u lind dhe u rrit.