Instagram shpalli ndryshime të mëdha të martën për të përmirësuar privatësinë dhe për të kufizuar ndikimin negativ të rrjeteve sociale tek përdoruesit nën moshën 18 vjeç, pasi po përballet me presion në rritje për sigurinë e fëmijëve online.
Instagram njoftoi se llogaritë e përdoruesve nën moshën 18 vjeç do të bëhen automatikisht private në javët në vijim. Kjo do të thotë se vetëm ndjekësit e miratuar nga përdoruesi do të mund të shohin postimet e tij. Aplikacioni, i cili është në pronësi të Meta-s, gjithashtu do të ndalojë njoftimet për të miturit nga ora 22:00 deri në orën 7:00 për të nxitur gjumin. Për më tepër, Instagram do të prezantojë mjete të reja mbikëqyrjeje për prindërit, duke përfshirë një funksion që u lejon atyre të shohin llogaritë që fëmijët e tyre kanë kontaktuar së fundmi.
Adam Mosseri, kreu i Instagram-it, tha se këto veçori dhe cilësime të reja janë krijuar për të adresuar shqetësimet kryesore të prindërve për fëmijët e tyre online, përfshirë kontaktet e papërshtatshme, përmbajtjen e papërshtatshme dhe kohën e tepruar para ekranit. “Vendosëm të fokusohemi te çfarë mendojnë prindërit sepse ata e dinë më mirë se çdo kompani teknologjike apo ligjvënës se çfarë është e përshtatshme për fëmijët e tyre,” tha Mosseri në një intervistë.
Nisma e re e Instagram-it, e quajtur “Llogaritë për të Mitur”, synon të krijojë përvoja më të sigurta për adoleshentët në aplikacion. Këto ndryshime janë ndër masat më të mëdha që ka ndërmarrë një aplikacion për të adresuar përdorimin e mediave sociale nga adoleshentët, ndërsa shqetësimet për sigurinë e tyre online po rriten.
Në vitet e fundit, prindërit dhe organizatat për mbrojtjen e fëmijëve kanë paralajmëruar se aplikacione si Instagram, TikTok dhe Snapchat kanë ekspozuar shpesh fëmijët ndaj ngacmimeve, pedofilëve, shfrytëzimit seksual dhe përmbajtjes që promovon dëmtimin e vetvetes dhe çrregullimet e të ngrënit.
Megjithëse Instagram ka premtuar mbrojtje për të miturit që prej vitit 2007, suksesi i tij ka qenë i ndryshueshëm. Për shembull, në vitin 2021, aplikacioni njoftoi se llogaritë e reja të hapura nga përdorues nën moshën 16 vjeç do të bëheshin private automatikisht, por përdoruesit mund të ndryshonin këtë cilësim lehtësisht. Tani, përdoruesit më të rinj se 16 vjeç do të kenë nevojë për lejen e prindërve për të bërë llogaritë e tyre publike.
Ekspertët e konsiderojnë këto ndryshim një hap të rëndësishëm për mbrojtjen e fëmijëve online, megjithatë, ata theksojnë se mbetet ende një problem i madh: adoleshentët që gënjejnë për moshën e tyre kur regjistrohen në Instagram.
Ndërsa këto ndryshime mund të priten mirë nga prindërit, disa adoleshentë — të cilët janë një pjesë e rëndësishme e përdoruesve të Instagram-it — mund të mos jenë aq të kënaqur. Influencuesit e rinj, që mbajnë llogaritë publike për të fituar më shumë ndjekës, mund të kundërshtojnë këto ndryshime. Sipas një studimi të Pew Research, afërsisht gjysma e adoleshentëve amerikanë të moshës 13 deri në 17 vjeç përdorin Instagram-in të paktën një herë në ditë, duke e bërë atë rrjetin e katërt më të popullarizuar në mesin e të rinjve pas YouTube, TikTok dhe Snapchat.
Këto masa sigurie mund të dëmtojnë përkohësisht biznesin e Meta-s, pasi kompania ka nevojë për përdorues të rinj për të mbajtur rritjen dhe rëndësinë e saj. Megjithatë, duke i bërë këto ndryshime tani, Instagram po përpiqet të tërheqë brezin e ardhshëm të përdoruesve të rinj, ndërsa redukton rreziqet që ata mund të hasin online.
Adam Mosseri, drejtuesi i Instagram-it, pranoi se masat e reja të sigurisë mund të ndikojnë në numrin e përdoruesve dhe popullaritetin e aplikacionit ndër adoleshentë.
“Këto ndryshime do të ndikojnë në rritjen dhe angazhimin e adoleshentëve, dhe ka shumë rreziqe,” tha ai. “Por, në fund të fundit, dua që ne të jemi të gatshëm të marrim rreziqe për të bërë përparim.”