Interi u rikthye te suksesi në kampionat, pas zhgënjimit të madh në derbi. Zikaltërit triumfuan 1-3 ndaj Udineses, në ndeshjen e luajtur në Friuli. Ndeshja u zhbllokua shumë shpejt, që në minutën e parë, me anë të Fratessit, i cili shfrytëzoi në maksimum një asist të Darmian. Vendasit ishin shumë agresivë dhe vendosën ekuilibrat me Kabasele, me belgun që u tregua i saktë me kokë në të 35-tën.
Kampionët e Italisë, me një zbritje të shpejtë në të 47-tën minutë, morën përsëri epërsinë. Ishte argjentinasi Lautaro Martinez që më në fund çlirohet, duke gjetur golin e parë sezonal në Serie A. Në fillimin e pjesës së dytë, përsëri Lautaro, që me një gjuajtje me të djathtën mposht Okoye dhe kompleton dopietën.
Goli i Luccas në të 83-tën, shërbeu vetëm për statistikë. Interi i Simone Inzaghit i ka synimet e qarta këtë sezon, teksa kërkon që të mbrojë titullin kampion. Deri më tani, skuadra numëron 3 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje. Ndeshja e radhës për ekipin nga Milano është në shtëpi, ndaj një kundërshtari si Torino. Në krahun tjetër, e ka nisur mirë sezonin edhe Udine, që gjendet në 10 skuadrat e para në klasifikim. Takimi i radhës për bardhezinjtë është ndaj Leçes.