Nga Amik Kasruho/
Kur në Mesjetën e vonë Europa rizbuloi klasikët e Greqisë dhe të Romës, Shqipëria ishte një vend i pushtuar, ku vihej në rrezik jo vetëm vijimi i gjuhës dhe i kulturës autoktone, por vetë jeta e kombit. Rrezikoheshin vlerat historike të një populli, i cili, deri pak kohë më parë, kishte qenë pjesë organike e qytetërimit europian. Pushtimi turk, jo vetëm që e mbajti këtë popull larg zhvillimit të pjesës tjetër të Europës, por këmbënguli me keqdashje në qëllimin e vet për ta detyruar të humbiste origjinalitet dhe origjinë, mbi të gjitha duke favorizuar kthimin e pjesës më të madhe të popullit në fenë islamike. Periudha e gjatë e pushtimit turk (rreth 450 vjet), në mos tjetër, bëri që të humbitnin gjurmët e vazhdimësisë historike të një populli dhe të një qytetërimi të lashtë, po të përjashtohet ajo pjesë e kulturës vendase që gjeti strehë në pasurinë gojore të një folklori origjinal dhe tejet të pasur. Prandaj, për të rindërtuar të kaluarën historike të Shqipërisë, në shumicën e rasteve, duhet t’u drejtohemi burimeve arkivore të vendeve të tjera (të Stambollit, të Vatikanit, të Venedikut, të Vjenës etj.). Nga Arkivi i Shtetit i Tiranës mund të nxirren gjëra të pakta, meqë mbi të rëndon dyshimi që të jetë vënë dorë në pesëdhjetë vitet e fundit të diktaturës komuniste.
Vitet e fundit është bërë diçka për t’ia nisur një rindërtimi historik, edhe pse ka munguar një kërkim sistematik dhe rrënjësor ndër arkivat e ndryshëm (dihet se, për të bërë këtë, duhen shumë të holla, kohë të gjata dhe shumë vullnet i mirë …).
Një gjë del krejt e qartë: për zhvillimin e kulturës, të arsimit dhe të shkollës në Shqipëri, ka pasur rëndësi themelore kontributi i dhënë nga kleri i besimeve të ndryshme fetare, por mbi të gjitha ai i Kishës Katolike.
Një gjë e tillë vihet re haptazi qysh në fillimet e historisë së letërsisë shqiptare. Pohimi i parë për të folurit shqip (dhe me gjasë edhe gjuhës së shkruar) i përket një shënimi (1332) të një domenikani, Gulielmo Adae, nga i cili veç është vështirë të hipotizohet, siç kanë bërë disa, për ekzistencën e një letërsie të shkruar në shqip qysh në shekullin XIV. Në të vërtetë i pari dokument i shqipes së shkruar (i zbuluar deri sot) i përket vitit 1462 dhe është Formula e Pagëzimit në shqip, e shkruar nga Arqipeshkvi i Durrësit, Pal Engjëlli. Për botimin e librit të parë në shqip, Mesharin e Gjon Buzukut, i cili u shtyp jashtë vendit, duhet pritur viti 1555: që të dy këto fakte vërtetojnë se, veçanërisht për tekstet liturgjike, gjuha e vendit përpiqej të zëvendësonte latinishten. Ndonjë studiues është i mendimit se edhe më përpara, qysh në kohë të Skënderbeut, kronikat shkruheshin “në gjuhën e popullit”, por mjerisht kjo gjë nuk është vërtetuar nga dokumentet.
Sidoqoftë, del në shesh një fakt: të parët që e shkruan shqipen kanë qenë priftërinjtë katolikë. Dhe nuk mund të ishte ndryshe, meqë këta klerikë kishin një kulturë të madhe, të cilën donin ta vinin në dispozicion të vendit.
Tërësia e veprave të Buzukut, Budit, Bogdanit, Bardhit, Palit nga Hasi, Gjon Nikollë Kazazit, Lekë Matrangës, Nikollë Ketas dhe të tjerëve që i ndoqën, tregon dukshëm lidhjen me vlerat e kombit të këtyre të mëdhenjve të kulturës shqiptare. Vlen për të gjithë pohimi i Buzukut që, në parathënien e “Mesharit” të tij thotë se e ka shkruar këtë vepër në shqip “nga dashuria për gjuhën tonë”.
Me shumë gjasë (duke gjykuar nga të dhënat që disponohen deri më sot) shkolla e parë shqiptare ka qenë ajo e Stubllës në Kosovë, themeluar më 1584; ka të ngjarë që në atë shkollë të jetë përdorur gjuha shqipe, të paktën për një pjesë të mësimeve. Në studimin e shkurtër të Sarë Gjergjit lexojmë: “Qysh në shekullin XVI misionarët katolikë provuan të themelojnë një shkollë të lartë në territorin e famullisë katolike të Karadakut të Shkupit, meqë aty nuk banojnë dhe nuk vijnë turqit … Sidomos Stublla (afër Gjilanit), fshat që flet gjuhën shqipe, ka qenë i përshtatshëm për hapjen e një kolegji të tillë katolik”.
Zgjedhja e një fshati albanofon vlerëson tezën se në atë shkollë mësimet duhej të zhvilloheshin edhe në shqip. Natyrisht, si kusht i nevojshëm për hapjen e shkollës ishte njohja dhe përdorimi i mirëfilltë i shqipes. Pak më vonë së tridhjetë vjet mbasi botimit të librit të parë shqip hasemi, pra, në të parën shkollë shqiptare; një fakt simbolik ky, që tregon lidhjen e ngushtë mes gjuhës, fesë, kulturës dhe shkollës në Shqipëri.
Është shumë e vështirë të depërtosh në errësirën e një epoke që s’ka lënë dëshmi. Kostantin Jireçek ka pasë thënë se “as ndërmjet Galipolit dhe Adrianopolit nuk ishin rrënuar aq shumë qytete mesjetare sa ç’u shkatërruan vetëm në rrethet e Durrësit dhe të Shkodrës”.