Herë pas here, të gjithë janë befasuar nga lista e lojtarëve që Silvinjo ka publikuar nga ulja e tij në stolin e Kombëtares shqiptare.
Fillimisht disa emra të rinj u afruan dhe kjo vijoi sistematikisht, edhe pse disa prej tyre nuk janë aktivizuar në fushë nga braziliani. Më tej bujë bëri lënia jashtë e disa lojtarëve të rëndësishëm, sidomos për Kampionatin Europian, por kjo vazhdoi edhe në Ligën e Kombeve, më saktë në grumbullimin e këtij muaji. Në harkun e gati dy viteve, disa lojtarë për momentin i kanë mbyllur llogaritë me Kombëtaren dhe disa të tjerë rrezikojnë seriozisht që të harrohen në të ardhmen, të paktën sa të jemi në epokën “Silvinjo”.
“TË ZHDUKURIT”
Nëse Sokol Cikalleshi dhe Klaus Gjasula njoftuan tërheqjen përfundimtare nga Kombëtarja, ka disa futbollistë të tjerë që janë drejt kësaj rruge dhe këtu flasim me emra që kanë dhënë kontribut ndër vite për ekipin përfaqësues. Silvinjo i ka grumbulluar të paktën një herë, por më pas ata janë harruar dhe nuk kanë qenë në planet e trajnerit. Këtu mund të përmendim lojtarë si: Armando Sadiku, Odise Roshi, Ermir Lenjani apo Frederik Veseli që kanë luajtur në “Euro 2016”, kanë një numër të konsiderueshëm ndeshjes me fanellën kuqezi, por me keqardhje, duke u ndikuar edhe nga mosha apo konkurrenca, mund të themi se koha e tyre në Kombëtare ka përfunduar.
TË HARRUAR
Ndërkohë me ardhjen e tij, Silvinjo afroi edhe emra të rinj, kujtojmë këtu Jasir Asanin, Mirlind Dakun, Arbër Hoxhën, Medon Berishën apo edhe Spahiun me Zekën në grumbullimin e fundit. Në rastin e dy lojtarëve më të rinj, mbetet për t’u parë nëse do të thirren sërish. Megjithatë, trajneri po ashtu i besoi një vend Anis Mehmetit, Arbnor Mujës apo Lindon Selahit. Lojtarë interesantë dhe në moshë të re, me dy të parët që morën edhe minuta gjatë kualifikueseve të Europianit, por nuk patën vazhdimësi në ekipin kombëtar dhe u harruan në një farë mënyre nga braziliani, i cili ka krijuar një grup me 13-14 lojtarë dhe pjesa tjetër nuk është se ka gjetur shumë hapësirë.
RREZIKOJNË
Amir Abrashi vijon të jetë ende pjesë e listës, si në Europian apo edhe në Ligën e Kombeve, por në epokën Silvinjo, mesfushori ka një statistikë të veçantë: nuk ka luajtur qoftë edhe 1 minutë. Është për t’u habitur diçka e tillë, por gjithsesi trajneri e ka justifikuar me prezencën dhe eksperiencën që Abrashi ka dhe diçka e tillë duhet edhe jashtë fushës, në ambientin e ekipit kombëtar. Nuk dihet edhe për sa kohë Abrashi do të jetë pjesë e Kombëtares, por pa dyshim është një ndër lojtarët që rrezikon dhe gradualisht mund të mos thirret më. Duket si e pabesueshme, por Keidi Bare nuk i ka punët mirë me këtë staf teknik. Mesfushori nuk shihet në plane dhe kjo u pa në listën e Europianit dhe tani në shtator.
Një tjetër futbollist që rrezikon është Myrto Uzuni, i cili është pjesë e Kombëtares që nga viti 2018. Për Silvinjon është e qartë, ai shihet si sulmues “pykë” dhe në radhë është pas Manajt, Brojës dhe Dakut. Edhe pse duket ende herët për të folur, por e pabesueshme ishte lënia jashtë e Ernest Muçit në këto dy ndeshje. Fantazisti nuk ka gjetur hapësira në ekipin e Silvinjos, kjo edhe kur ka qenë në formë shumë të mirë, por një sinjal nga numri një i stolit është dhënë. Muçi duhet të ketë kujdes! Nëse situata nuk ndryshon, kohë e vështirë e pret përpara Elseid Hysajn. Mbrojtësi është lënë jashtë ekipit në Serinë A që do të thotë se nuk do të luajë asnjë ndeshje këtë sezon me Lacion. Diçka e tillë padyshim që do të ulë formën e tij dhe një grumbullim në ekipin kombëtar do të jetë i sikletshëm edhe për Silvinjon.