Autoritetet e Koresë së Veriut publikuan sot për herë të parë imazhe të objekteve të pasurimit të uraniumit me rastin e një vizite atje nga lideri i vendit Kim Jong Un. Pheniani, i cili kreu testin e tij të parë bërthamor në vitin 2006.
Uraniumi i pasuruar shumë, i nevojshëm për prodhimin e kokave bërthamore, prodhohet në këto objekte falë centrifugave me shpejtësi të lartë.
Kim vizitoi Institutin e Armëve Bërthamore dhe një bazë të prodhimit të materialeve bërthamore për ushtrinë, njoftoi agjencia zyrtare e lajmeve KCNA, pa specifikuar se ku ndodheshin ato objekte dhe kur u zhvillua vizita.
Udhëheqësi i Koresë së Veriut “theksoi nevojën për të rritur më tej numrin e centrifugave në mënyrë që të rritet në mënyrë eksponenciale numri i armëve bërthamore për vetëmbrojtje”, shtoi agjencia, e cila transmetoi imazhe që tregojnë Kim duke inspektuar rreshtat e centrifugave.
OKB-ja ka vendosur sanksione ndaj programit bërthamor të Koresë së Veriut, por vendi po i shpërfill këto ndalime falë kryesisht mbështetjes së aleatëve të saj Kinës dhe Rusisë.
Koreja e Jugut, nga ana e saj, tha se Pheniani “zbuloi ekzistencën e një objekti të pasurimit të uraniumit” dhe se kishte rritur prodhimin e materialeve për ndërtimin e armëve bërthamore.
“Kjo është një shkelje flagrante e shumë rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ,” tha një zëdhënës i Ministrisë së Unifikimit.
Publikimi i këtyre imazheve synon t’i dërgojë “një mesazh të fortë administratës së ardhshme” të SHBA-së se “do të jetë e pamundur të denuklearizohet Koreja e Veriut”, siç shpjegohet nga Hong Min, analist në Institutin Korean për Unifikimin Kombëtar.
Megjithatë, ai vlerësoi se nuk ka shumë gjasa që Koreja e Veriut të vazhdojë së shpejti me një provë të re bërthamore.
Sipas informacioneve të publikuara të mërkurën nga 38 North, një program analize i Koresë së Veriut i drejtuar nga Qendra Stimson, objekti qendror ku Pheniani kryen teste bërthamore u dëmtua nga përmbytjet që goditën vendin në fund të korrikut.