Kur pamjet filmike të inkursionit ukrainas në rajonin e Kurskut të Rusisë filluan të shfaqen në mediat sociale, një meme filloi të bënte xhiron e rrjetit. Aty shfaqej Vladimir Putini duke pyetur Stalinin se çfarë duhet të bënte për tanke gjermane që po vinin drejt Kurskut.
Fantazma e Stalinit i thotë se receta e fitores është e thjeshtë: dërgo në betejë divizionet më të mira ukrainase, siç kishte bërë ai në vitin 1943, pastaj kërko nga SHBA tanke dhe para. Por asnjë nga këto opsione nuk është në dispozicion të Putinit. Ai tani po përballet me ushtrinë ukrainase në tokën e tij dhe e konsideron SHBA-në si armikun kryesor.
Çdo vit që nga pushtimi rus, Ukraina ka habitur botën. Së pari, në fillimin e luftës në vitin 2022, forcat e saj zmbrapsën një sulm rus në kryeqytetin, Kiev. Më pas, në vitin 2023, çliruan Khersonin. Tani, tanket e tyre janë futur në territorin rus. Forcat e armatosura të Ukrainës tashmë kontrollojnë rreth 1000 km katror tokë dhe më shumë se 80 vendbanime. Flamujt rusë janë hequr; në qytetin Sudzha është ngritur një administratë ushtarake për të qeverisur territorin dhe janë kapur qindra robër lufte. Përfitimet territoriale të Kievit, në kontrast me madhësinë e territorit të Rusisë, janë, natyrisht, të vogla. Ushtria ukrainase ka marrë ekuivalentin e rreth 10% të Londrës së Madhe.
Inkursioni i Kurskut mund të mos jetë një betejë vendimtare në këtë luftë, por ndryshon rrënjësisht narrativën mbizotëruese se si po luftohet dhe si mund të përfundojë. Ajo godet rrënjën e strategjisë së Kremlinit, e cila ka qenë që perëndimi të ketë “arsye të mbërrijë në konkluzionin se mbizotërimi i Rusisë në Ukrainë është i pashmangshëm dhe se ne duhet të hiqemi mënjanë”, sipas Institutit për Studime të Luftës.
Kremlini ka qenë i suksesshëm me këtë narrativë, që nga fillimi i luftës. Si rezultat, perëndimi armatosi me shumë kujdes trupat ukrainase dhe vendosi kufizime në përdorimin e sistemeve të tij të armëve, duke e detyruar Ukrainën të luftojë me njërën dorë të lidhur pas shpine. Ndërkohë, Putini grumbulloi trupa dhe pajisje dhe ndezi flakë vijën e frontit lindor, duke lëshuar bomba nga bazat ajrore ruse, duke e ditur se Ukraina nuk mund të kundërpërgjigjej përpara se aeroplanët të fillonin sulmet.
Ofensiva e Kurskut po e kthen këtë narrativë në favor të Kievit. Kjo tregon se kjo luftë nuk ka ngecur. Në muajt e fundit, forcat ukrainase kanë kryer një sërë operacionesh dinamike. Një nga fitoret e tyre më domethënëse është pastrimi i Detit të Zi për lundrim tregtar duke shkatërruar 30% të flotës ruse dhe duke i shtyrë anijet e mbetura përsëri në bazat në Detin Azov.
Sulmet e sakta me dron që shkatërruan mbrojtjet ajrore të sofistikuara ruse dhe aeroportet në gadishullin e Krimesë kanë qenë gjithashtu integrale. Thellë brenda Rusisë, më shumë se 30 nga rafineritë më të mëdha të naftës janë nën sulmet e vazhdueshme që nga marsi, duke çuar në një rënie të prodhimit të naftës dhe një rënie prej 30% të shitjeve të naftës. Me Kurskun, tashmë kemi forca armike që pushtojnë territorin rus për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ukraina ka marrë më shumë toka ruse, se sa Rusia ka kapur brenda Ukrainës, që nga fillimi i vitit 2024.
Ngjarjet e dy javëve të fundit kanë treguar se Ukraina mund të ecë nëpër vijat e kuqe ruse, pa u ndëshkuar. Ofensiva ka thyer gjithashtu një tabu në lidhje me përdorimin e pajisjeve perëndimore brenda Rusisë, e cila duket se e ka një efekt: Shtëpia e Bardhë thuhet se po konsideron ofrimin e raketave me rreze të gjatë veprimi për të shoqëruar avionët F-16 që ajo ka dërguar, gjë që mund të komplikojë përpjekjet e Rusisë për të rimarrë territorin e saj. Në fund të fundit, Kursku jep përgjigjen më të mirë ndaj argumentit se Ukraina duhet t’i japë fund kësaj lufte duke shkëmbyer territorin e saj për paqen, e cila ishte gjithmonë e bazuar në besimin se Ukraina nuk mund të konkurronte në fushën e betejës.
Shtyrja e Ukrainës për të bërë kompromis, për të pranuar aneksimin e tokave të saj dhe për të ndaluar kërkimin e drejtësisë për këtë luftë, në thelb nuk vlerëson vendosmërinë e popullit ukrainas dhe forcën e ushtrisë së tij. Ky inkursion tregon se ata janë të aftë për triumfe ushtarake dhe se ndihma perëndimore shpërblehet. Është teatri ushtarak, jo tryeza e bisedimeve, ajo që do të përcaktojë rezultatin e kësaj lufte. A do të jetë në gjendje Ukraina të shfrytëzojë plotësisht suksesin e saj në Kursk? Ushtarët e saj po konsolidojnë territorin që kanë kapur, krijojnë mbrojtje dhe avancojnë ku të munden. Rusët po përgatiten të nisin një kundërsulm dhe të ndërtojnë linja mbrojtëse për të ndalur përparimin e Kievit. Por episodi është një poshtërim për Putinin. Kievi do të shpresojë të përfitojë nga kjo dhe të detyrojë qeveritë perëndimore të angazhojnë burime të mëtejshme. Loja e re ka filluar. / The Guardian – Bota.al