Prokuroria e Posaçme ka vënë në sitë në sitë 10 agjentë të policisë dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit që kanë qenë në terren për ekzekutimin e masave të sigurisë të lëshuara në kuadër të operacionit që goditi bandën e vëllezërve Çopja në Elbasan.
SPAK dyshon se drejtues së Policisë së Shtetit mund të kenë nxjerrë sekretin hetimor përpara se vendimi i gjykatës t’i vihej në ekzekutim. Mësohet se deri tani janë marrë në pyetje 3 drejtues policie që kanë patur dijeni për operacionin. SPAK ka sekuestruar edhe telefonin e drejtorit të Policisë së Elbasanit, Ilir Proda, i cili është kandidat zyrtar për zëvendësimin e Muhamet Rrumbullakut.
Nga 33 urdhër arreste të miratuara nga Gjykata e Posaçme, me kërkesë të SPAK, u ekzekutuan vetëm 13, dy prej tyre të arrestuar më herët për vepra të tjera penale. Për disa prej këtyre shtetasve që sot janë në arrati, kishte të dhëna që ndodhen në Shqipëri, por me dyshimet se janë informuar nuk është arritur të kapen. Në dosjen e SPAK evidentohet se grupi i vëllezërve Çopja ndihmoheshin dhe nga punonjës në institucione të drejtësisë, përmendim këtu gjyqtaren Pajtime Fetahu që është lënë në masën “arrest shtëpie” dhe një punonjëse të administratës gjyqësore të Gjykatës së Shkallës së Parë që u kalonte të dhëna sekrete. Vëllezërit Çopja kishin rekrutuar dhe dy punonjës policie në grupin e tyre.
Operacioni i zhvilluar zbardhi katër atentate që lanë pas 6 të vdekur. Bëhet fjalë për masakrën e Bradasheshit, ku u vranë Endrit Alibej, Albert Dylgjeri dhe Erdal Duranay; vrasjen e Klevis Kapllanit; atentatin ku mbeti i vrarë Klevin Baho dhe vrasja e Andi Zylyfit, ngjarje të cilat rezulton se janë urdhëruar nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja. Gjithashtu me urdhër të dyshes numërohen dhe 16 tentativa të dështuara, 4 për të vrarë Erion Alibej, dy për Nuredin Dumanin, atentati i dështuar kundrejt Kei Pikut e Irfan Azizi dhe tentativat e tjera për të tjerë personazhë, rivalë të tyre që ende nuk u janë zbardhur emrat. Vëllezërit Çopja sipas SPAK kanë qenë dhe truri i grabitjes së Rinasit.