Komisioni Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-Up në Shëndetësi do të kërkojë leje për të thirrur si dëshmitarë gjatë javëve të ardhshme ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ish-zëvendës/ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, biznesmenin Ilir Rrapaj dhe gjashtë zyrtarë të tjerë, që janë nën hetim nga SPAK.
Komisioni ka caktuar mëngjesin e 9 tetorit për Beqajn dhe 20 shtatorin për Rrjepajn si data për të marrë dëshmitë, megjithatë duhet fillimisht autorizimi i institucioneve të drejtësisë.
Ndërkohë, në listën e dëshmitarëve që u miratuan sot nga anëtarët e mazhorancës dhe opozitës në komision, renditen ish-drejtorët e QSUT-së, drejtoresha aktuale e QSUT-së, ish-drejtoresha e spitalit Durrës, ish-drejtori i Spitalit të Traumës, të Spitalit Rajonal të Shkodrës, Spitalit Rajonal të Elbasanit, të Vlorës, drejtori i Maternitetit “Koço Glozheni”, anëtarët e grupit të punës së check up-it.