Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu kanë vizituar shkollën “Babë Dudë Karbunara” në Berat, një prej 25 shkollave të reja të ndërtuara në mbarë vendin.

Ministrja Manastirliu, gjatë fjalës së saj, tha se rindërtimi i kësaj shkolle me të gjitha kushtet e nevojshme, është një shëmbëlltyrë e vizionit të qeverisë për sistemin arsimor që duam.

“Dita e parë e shkollës, një kapitull i ri hapet dhe kam një urim për nxënësit në të gjithë Shqipërinë, për mësuesit, që ky vit të jetë i mbarë, i suksesshëm me plot arritje për nxënësit, përkushtim dhe pasion për mësuesit. Doja të shtoja dhe prindërit, pritshmëritë e të cilëve janë të mëdha. Ne do të punojmë çdo ditë për të arritur këto pritshmëri, për ta bërë sistemin tonë arsimor, cilësor, gjithëpërfshirës dhe të barabartë. Jemi këtu në një prej shkollave simbol, shohim se si një projekt është bërë realitet. Kjo shkollë është shëmbëlltyrë e vizionit tonë për modelin e shkollave që duam. Më bëhet qejfi që përtej Tiranës, ne shohim shkolla që ofrojnë të gjithë infrastrukturën për nxënësit që të zhvillohen njësoj si një kryeqytet, qytet edhe në fshatra.”, u shpreh mes të tjerash ministrja Manastirliu.

Ministrja u ndal edhe te programi për trajnimin e mësuesve në bashkëpunim me universitetet publike, për të cilin tha se ka rezultuar me sukses.

“Për herë të parë do të kemi testim të informatizuar për kualifikimin e mësuesit. Universitetet publike do të trajnojnë mësuesit. E kemi pilotuar këtë program, që po rezulton efektiv, kemi arritur të përfshijmë më shumë se 100 pedagogë të universiteteve dhe po financohet nga buxheti i shtetit për të arritur një tjetër objektiv, për të rritur cilësinë e mësimdhënies në shkolla. Rritja e pagave, kualifikimi i mësuese dhe trajtimi i tyre do të rrisë interesin e të rinjve për të zgjedhur degët e mësuesisë.“, u shpreh ajo.