Kamëz, 6 shtator – Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, zhvilloi një inspektim në shkollën 9-vjeçare “Fatos Lami” në Kamëz, e cila ka përfituar një rikonstruksion tërësor falë një investimi të qeverisë shqiptare, e shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli dhe deputetja e zonës Lindita Nikolla.
Shkolla “Fatos Lami” është një nga shkollat e reja në Bashkinë Kamëz, duke u kthyer në një model për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në vend. Ky investim ka prekur të gjitha mjediset e shkollës, duke krijuar kushte të reja dhe më të mira për 520 nxënës dhe 31 mësues, si brenda klasave, ashtu edhe në terrenet sportive.
 
“Viti i ri shkollor do të jetë me rezultate shumë të mira në çdo aspekt; Kemi shkolla të reja, të cilat hapin dyert për fëmijët, mësues më shumë të shpërblyer dhe të motivuar, me mësuesit të cilët do të orientojnë për karrierën nxënësit, me mësues që do të jenë koordinator për vlerësimin e cilësisë dhe sigurisht edhe me të gjithë mbështetjen që ne do të sigurojmë për orët mësimore dedikuar sikurse janë laboratorët e shkencave apo laboratorët e TIK-ut”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
 
Për këtë vit shkollor, 9 shkolla në Bashkinë Kamëz janë përfshirë në programin për pajisje me laboratorë Smart, që synojnë të përmirësojnë më tej cilësinë e arsimit dhe të përgatisin fëmijët për të ardhmen digjitale.
Manastirliu gjithashtu theksoi rëndësinë e standardeve të reja që po vendosen në shkolla jo vetëm më investimet në infrastrukturë, implementimin e programeve të reja por dhe me vëmendjen e shtuar për nxënësit me aftësi të veçanta.
 
“Standardi i shkollave tona është rritur ndjeshëm dhe ju tani mund të ofroni të gjithë shërbimin arsimor ashtu siç dëshirohet. Janë mbi 2000 mësues që janë angazhuar si mësues ndihmës në shkolla dhe sigurisht që fokusi ynë është që me buxhetin e ri të rrisim numrin  e mësuesve ndihmës në shkolla për t’iu përgjigjur nevojave të çdo fëmijë”, tha Manastirliu.
 
Ndërkohë, në këtë shkollë dhe në të gjitha shkollat e tjera të Bashkisë Kamëz, ka filluar shpërndarja e librave falas. Shpërndarja e librave falas është një nismë e qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për t’u ardhur në ndihmë familjeve shqiptare, duke e bërë shkollën jo vetëm gjithëpërfshirëse, por edhe ndihmuese. Në Kamëz, 12,790 nxënës të arsimit 9-vjeçar dhe 43 nxënës të arsimit të mesëm, të cilët i përkasin kategorive të veçanta, do të përfitojnë libra falas për këtë vit shkollor.