Nënshkruhet Marrëveshja mes Ministrisë së Arsimit dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim për projektet e kërkimit shkencor
Tiranë, 19 Shtator 2024 – Nënshkruhet Marrëveshja e Bashkëpunimit mes Ministrisë së Arsimit dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF ) për bashkëfinancimin e projektit READ për projektet e kërkimit shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri dhe angazhimin e akademikëve shqiptarë të diasporës.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, tha se, përmes këtij bashkëpunimi, ne po krijojmë një urë të rëndësishme mes akademikëve të diasporës dhe universiteteve shqiptare, që jo vetëm sjell përvojën ndërkombëtare, por ndihmon në rritjen e kapaciteteve tona kërkimore.
“Sot kemi 130 projekte të kërkimit shkencor dhe infrastrukturës shkencore të financuara nga qeveria shqiptare përmes AKSHI-t. Janë 5 programet të cilat financohen përmes AKSHI-t, janë programe të kërkimit shkencor, projekteve dhe infrastrukturës së kërkimit shkencor. Janë programe të përbashkëta me vende europiane si Austria dhe Italia. Jemi duke e shtrirë edhe në vende të tjera, në mënyrë që të kemi mundësi të zhvillojmë kapacitetet nëpërmjet ekspertizës më të mirë të universiteteve prestigjioze dhe të akademikëve të tyre. Vetëm për kërkimin shkencor, ne kemi rritur, krahasuar me një vit më parë, fondet me 56%, të cilat shkojnë pikërisht për kërkimin shkencor. Më shumë se 5 milionë euro janë akorduar vetëm për projektet që kemi financuar këtë vit”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) do të financojë dhe administrojë zbatimin e Programit READ, duke përfshirë mbulimin e kostove për akademikët e diasporës dhe monitorimin e projekteve të zbatuara.
Sot hapet dhe thirrja e parë për projektet e financuara nga programi READ, duke ftuar akademikët që deri më 16 dhjetor të këtij viti të paraqesin propozimet e tyre dhe të përfshihen në këtë nismë të rëndësishme për zhvillimin e kërkimit shkencor në Shqipëri.
Martin Mata, bashkëdrejtues i AADF-së, zbuloi një tjetër projekt bashkëpunimi në fushën e kërkimit shkencor.
“Ne kemi një histori të gjatë bashkëpunimi dhe mbi 60 milionë dollarë është mbështetja e AADF-së për projektet e arsimit. Nëse gjen shtrat, mënyrën dhe damarin e mirë për të bashkëpunuar me Ministrinë e Arsimit në rastin konkret, rezultatet janë aty dhe janë të gjitha të matshme. Ne jemi duke bërë gati një projekt të ri në bord dhe, nëse aprovohet, në mes të këtij tetori do të vendosen themelet e një projekti të ri, i cili do ta ngrejë në një shkallë edhe më të lartë kërkimin shkencor në universitete.”
Ministria e Arsimit dhe Sportit, përmes AKKSHI do të bashkëfinancojë projektet e përzgjedhura dhe do të sigurojë transferimin në kohë të fondeve për akademikët në Shqipëri.Të dy institucionet do të bashkëpunojnë për vlerësimin dhe përzgjedhjen e projekteve, duke garantuar transparencë të plotë në çdo fazë.
Programi READ, i nisur në vitin 2021, është një platformë që lidh kërkuesit shqiptarë të diasporës me universitetet shqiptare, duke synuar kërkime shkencore, mbikëqyrjen e doktoraturave, zhvillimin e kurrikulave dhe bashkë-mësimdhënien. Marrëveshja e sotme rrit angazhimin e të dy institucioneve për të bashkëfinancuar dhe për të mbështetur projekte të përbashkëta kërkimore.